Aktualitet

Pas vendimit të Kushtetueses, Veliaj ‘’rrit” pritshmëritë, i kërkon SPAK dhe Burgjeve që të takojë…

Sipas Veliajt, ky takim do të shërbejë për të sqaruar respektimin e të drejtave të tij si i ndaluar dhe si funksionar publik

E.K
Pas vendimit të Kushtetueses, Veliaj ‘’rrit”
erion veliaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të lejuar zhvillimin e një takimi zyrtar me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri nga datat 17-19 nëntor 2025.

Në kërkesën e tij, Veliaj thekson se vizita e delegacionit zhvillohet në kuadër të misionit të monitorimit të Kongresit për respektimin e parimeve të demokracisë vendore dhe qeverisjes së mirë në vendet anëtare të Këshillit të Europës.

Ai kërkon që përfaqësuesve të Kongresit t’u mundësohet takimi me të në ambientet e IVEP Durrës, ku aktualisht ndodhet, për të garantuar transparencë dhe informim të drejtë mbi situatën e tij ligjore dhe institucionale.

Sipas Veliajt, ky takim do të shërbejë për të sqaruar respektimin e të drejtave të tij si i ndaluar dhe si funksionar publik, në përputhje me nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim.

“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe DPB.

Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB