TIRANË- Deputeti socialist Tërmet Peçi është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme. Dyshohet se thirrja e Peçit në SPAK lidhet me hetimet që Prokuroria e Posaçme ka nisur për procedurën e dhënies së tenderave gjatë kohës që socialisti ishte në drejtimin e Bashkisë së Tepelenës. Peçi mbërriti i vetëm në ambientet e SPAK rreth orës 10, ndërsa doli nga Prokuroria pas më shumë se 60 minutash.
Pas daljes së tij nga Prokuroria, Peçi nuk pranoi të komentonte, por fjalia “Bëji të fala Ristanit”, la të kuptohej shumë se për çfarë ishte thirrur nga hetuesit. Para zgjedhjeve të Majit të këtij viti, Arben Ristani, i cili ishte pjesë e listave të PD në qarkun e Gjirokastrës denoncoi në SPAK për abuzime me tendera në drejtimin e Bashkisë Tërmet Peçin.
Ristani në një deklaratë publike tha se Peçci ka përfituar miliarda lekë përmes tenderave abuzivë. Sipas dosjes që ka shkuar në tryezën e SPAK, Tërmet Peçi akuzohet se bashkë me drejtorin e tij në Bashki, shtetasin Lorenc Bami kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive me kompaninë “NG STRUCTURES” për të përfituar 18 milionë euro të ardhura nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe 66 milionë euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.
Gjithashtu, “NG STRUCTURES” rezulton që të jetë kompania e përzgjedhur dhe nga “IUMENTIS shpk”, kjo e fundit me firmën e Tërmet Peçit ka përfituar tokë publike dhe leje ndërtimi për thertoren rajonale të Qarkut Gjirokastër, e më pas kalon paratë tek kompania e gruas së Lorenc Bamit. Ndërkohë, pas largimit si aksionere nga shoqëria NG STRUCTURES, Aleksandra Bami, gruaja e drejtorit Lorenc Bami themelon kompaninë “Artreum Generation” me ortak themelues Mateo Shehu, i biri i Gjolek Shehu pronarit të “IUMENTIS”.
Kompania “Artreum Generation” ka marrë nënkontraktimin e një tjetër tenderi në Bashkinë Memaliaj për ndërtimin e Ujësjellësit. Gjithashtu, motra e Tërmet Peçit, Manjola Haska, një mësuese, drejtoreshë shkolle, është shndërruar në investitore dhe përfituese e fondeve të AZHBR, pasi me VKB të posaçme, i vëllai kryebashkiak i ka dhuruar mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe ka përfituar një fond në vlerën 220.000 euro nga fondet e IPARD. Ristani, i cili bëri asokohe deklaratën nga selia blu, tha se kjo është një megavjedhje 5T, e cila ka lënë me gojë hapur edhe arkitektët e 5D dhe 5B. (dosje që iu referohen abuzimeve në Bashkinë e Tiranës dhe në Ministrinë e Infrastrukturës)./ZËRI