TIRANË- Aktivisti Baki Goxhaj do të kthehet në Shqipëri, ndërsa dëbimi i tij do të kryehet në rrugë ajrore. Burime nga organizata ligjore izraelite "Adalah" bëjnë me dije se policia kufitare izraelite ka përfunduar procedurat e dëbimit për shtetasin shqiptar Baki Goxhaj.
Sipas burimeve, Goxhaj pritet të largohet në orët në vijim nga territori i Izraelit. Mësohet se fillimisht, ai do të fluturojë për në Turqi, Stamboll, dhe më pas do të niset drejt Shqipërisë. Mësohet se shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga buxheti i policisë kufitare izraelite.
Turqia është angazhuar të transportojë aktivistët e ndaluar nga Izraeli përmes fluturimeve të posaçme. Ministri i Jashtëm i Turqisë bëri me dije se qeveria turke do të bëjë të mundur zhvendosjen e aktivistëve turq, por edhe të atyre nga vende të tjera.
Baki Goxhaj, u ndalua 2 ditë më parë nga forcat izraelite bashkë me aktivistë të tjerë nga vende të ndryshme, teksa po dërgonin ndihma në Gaza përmes flotës së anijeve ‘Sumud’./ZËRI