TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme në një deklaratë për mediat, njofton se ka përfunduar procesin e verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila shërben në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se dënimi i Gjokës në Greqi, për falsifikimin e vizës është autentik, por i takon KLGJ-së që të vendosë nëse gjyqtarja është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës. Prokuroria e Përgjithshme, në informacionin e grumbulluar, ka arritur në përfundimin se dënimi i Gjokës në shtetin grek ishte arkivuar, për shkak se nuk ishte ekzekutuar prej vitesh.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Verifikimi i vetëdeklarimeve të Irena Gjokës, u zhvillua mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Gjyqtarja e Posaçme është sulmuar veçanërisht nga kreu i PD-së Sali Berisha, për një dënim në shtetin grek, si dhe të dhëna të tjera të manipuluara prej saj.
Në Tetor të 2025, kryeprokurori Olsian Çela, u pyet në Kuvend, në lidhje me verifikimin e gjyqtares Gjoka.
“Ky proces nuk ka afat. Afatet zgjaten me 3 muaj sa herë është e nevojshme. Ligji na ngarkon të bëjme verifikim te plotë dhe me pas ja dërgojmë organit i cili ka kërkuar verifikim. Në rastin në fjalë çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë.
Ne kemi kërkuar që të dhënat të jenë të plota në mënyrë që t’i shërbejnë të gjitha organeve. Verifikimi na është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Edhe me SPAK kemi pasur komunikimet përkatëse duke u dërguar materialet që lidhen me rastin. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të tregojë transparencë të plotë me këdo që ka pasur interes për të marrë informacion”, tha Çela gjatë raportimit në Parlament.
Gjoka aktualisht është gjyqtare në procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta, por kërkesa e saj për t’u tërhequr nga çështja u refuzua nga kryetari i GJKKO-së. Ajo ka qenë gjithashtu e përfshirë në disa vendimmarrje në çështjen e dosjes “Partizani”, ku është i pandehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Njoftimi i Prokurorisë sot (20 janar 2026):
Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”./ZËRI