Aktualitet

Përgjimet e Veliaj për mediat/ Bollino: SPAK të distancohet! Mero Baze: Kush ka rrjedhur materialet? Po rrezikoni anarkinë

Sërish duke iu referuar dokumenteve që janë publikuar, të cilat ende nuk janë provuar se janë autentike nga ana e SPAK, thuhet se Arbër Veliaj (vëllai i socialistit) orientohet nga Veliaj që të takohet me gazetarët me qëllim që postimet në favor të tij.

k.m.
Përgjimet e Veliaj për mediat/ Bollino: SPAK të distancohet! Mero
Foto ilustruese

TIRANË- Një dosje më përgjime e publikuar nga "CNA" ka trazuar ujërat në vend. Përgjimet e pretenduara të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajn, kanë përmendur disa emra me peshë në botën e medias në Shqipëri. Sipas dokumenteve që janë nxjerrë dhe janë zbardhur nga media në fjalë, në përgjime përmenden disa botues, mes tyre Carlo Bollino, Mira Kazhani dhe Mero Baze. Sërish duke iu referuar dokumenteve që janë publikuar, të cilat ende nuk janë provuar se janë autentike nga ana e SPAK, thuhet se Arbër Veliaj (vëllai i socialistit) orientohet nga Veliaj që të takohet me gazetarët me qëllim që postimet në favor të tij.

PJESË NGA PËRGJIMET QË JANË PUBLIKUAR DERI MË TANI:

“Në orën 16:16, shtetasi Erion Veliaj bisedon me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, të cilës ndër të tjera, i kërkon që të bisedojë me Karlon e ta pyesë nëse i ka marrë përgjigjet e tij për emisionin që do të zhvillohet sot. Ajola Xoxa e informon se nuk e ka numrin e Karlos, por Erioni e pyet “Po Albën, s'ke as Albën as Karlon?”. Ajola i përgjigjet se numrin e Albës e ka dhe do ta pyesë. Erioni i thotë gjithashtu se numrin e Karlos mund t'ia japë edhe Renato. Në orën 19:55, Erion Veliaj bisedon me Arbrin dhe i kërkon që të sigurohet që intervista e Geri Kokalarit të shpërndahet sot te Gazeta Dita, Tema dhe Shqiptarja, sigurisht edhe për gazetat nesër. Po kështu, i thotë se është mirë që edhe Amerikanët(avokatët amerikanë) të informohen se çfarë po ndodh në mënyrë sistematike. Kjo gjë, thotë Erioni, duhet të jetë në përditshmëri, "daily tasks".

Në orën 20:30, Erion Veliaj bisedon me bashkëshorten e tij, Ajolën, të cilës i kërkon që “Thuaji ktyre qe ta shperndajne sa me shume edhe ta mbajne presionin se keto kater dite jane vendimtare" "Domethënë o dal këto katër ditë, o rri këtu edhe katër muaj. Kismet pastaj Gjykata e Lartë. Mbas Zgjedhjeve.” “Kshuqë është "vital". Këto katër ditë janë vendimtare", thuhet në përgjimet e siguruar nga CNA. Nga komunikimet konstatohet se, shtetasi Arbër Veliaj orientohet nga shtetasi nën hetim që të takohet me gazetarët Carlo, Mero apo edhe me Mirën me qëllim që postimet në favor të tij të bëhen gjithmonë e më shpesh. Ka diskutime në lidhje me kohën televizive te Top-i, e më konkretisht në emisionin Top Story të gazetares Grida Duma, si dhe për mbështetjen që merret nga ana e TV Klan, Report Tv, për publikimin e lajmeve në favor të tij, por dhe sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme."

Për përgjimet e publikuara ka edhe dy kundërpërgjigje! Një nga botuesi i "GazetaTemA", Mero Baze dhe ai i "Report", Carlo Bollino. Fillimisht Bolino në një editorial të publikuar në "Shqiptarja.com", shkruan se e gjithë situata e krijuar mund të ndodhë vetëm në një regjim diktatorial, duke shtuar se ka dyshime që sulmi kësaj herë nuk vjen nga qeveria, por nga opozita. Më pas, ngre dyshime se dosja, edhe pse është klasifikuar si “akt sekret”, nuk i është dorëzuar avokatëve të Veliajt, kështu kërkon të dijë sesi ka rrjedhur në media.

"Çuditërisht dokumenti ndodhet edhe në duart e disa mediave opozitare. Madje, dje, avokatët e Veliajt kanë reaguar zyrtarisht duke kërkuar nga SPAK ndalimin e botimit të materialit. Nëse bëhet fjalë për një rrjedhje të paligjshme informacioni, natyrisht që SPAK duhet të reagojë dhe të identifikojë fajtorin. Në të kundërt, mbetet si opsion se dosja ka dalë me leje nga ato zyra."

Sa i përket faktit që në përgjime Veliaj i kërkon të vëllait ta takojë sqaron se takimi nuk ka ndodhur kurrë, por intervista, e cila edhe u transmetua në median e tij është bërë. Madje për të është përdorur edhe Inteligjenca Artificiale. Përmendjen e emrit të tij nga Veliaj, Bollino e justifikon me faktin se edhe pse brenda qelisë, Veliaj kërkon që intervista të publikohet dhe i përmbahet përgjigjeve që ai ka dhënë. Por sipas tij, e gjithë kjo pjesë është përdorur nga opozita për ta sulmuar, madje e cilëson edhe si fushatë linçimi.

"Nga stresi i gjendjes ku ndodhej, Erjon Veliaj, brenda pesë minutave, duket se ka kërkuar si nga gruaja, ashtu edhe nga vëllai, të njëjtën gjë, pra që të verifikojnë nëse përgjigjet që ai kishte dhënë pas pyetjeve të redaksisë kishin mbërritur në televizion. Kaq është “skandali” që ka mjaftuar ta paraqesë dosjen si provë të ndonjë krimi të madh që paskam kryer unë. Zinxhiri i baltosjes sipas “metodës Bollino” tashmë është i kolauduar: shpifje e re, e botuar nga mediat e Berishës, po përdoret tani nga kamikazët e familjes, si Belind Këlliçi, sikur të ishte provë për shpifjet e tyre të vjetra ndaj meje, për të cilat pikërisht Këlliçi po gjykohet në Gjykatën Penale të Tiranës ku e kam kallezuar. Madje sot, me një deklaratë publike, Këlliçi në emër të Partisë Demokratike jo vetëm që më kërcënon, por ushtron edhe presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut, duke i akuzuar pse nuk më kanë inkriminuar ende, pasi Partia Demokratike ka dorëzuar edhe dy kallëzime të rreme ndaj meje. Pra, ata që ushtrojnë presion mbi drejtësinë, akuzojnë të tjerët për presion. Ku është shkelja etike, profesionale apo ligjore që justifikon etiketimet dhe fyerjet publike ndaj gazetarëve, duke pasur parasysh se bëhet fjalë thjesht për intervista apo artikuj, pra lëndë e parë për çdo gazetar në botë?"

Një kërkesë ka edhe për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar! Sipas Bolinos, SPAK nuk reagoi asnjëherë, edhe pse për të është e qartë që gazetarët nuk kanë kryer asnjë shkelje. Ndaj edhe ngre pikëpyetje, nëse SPAK do të nisë hetime për të zbuluar sesi kanë rrjedhur këto informacione. 

"Fakti që përmenden me emër (në vend që të mbulohen me “omissis”, siç ndodh zakonisht për persona që nuk janë subjekt i hetimeve) krijon një precedent të rrezikshëm, sepse përbën hapin e parë drejt ndërtimit të “listave të zeza” për median. Pjesa më e rëndë te kjo histori lidhet pikërisht me rolin që mund të kenë luajtur disa elementë brenda SPAK-ut, institucion që ka marrë një pushtet të jashtëzakonshëm nga Kushtetuta, jo për të vepruar politikisht, jo për të zbatuar standarde të dyfishta, jo për të favorizuar individë, media apo klane të caktuara, por për të vendosur njëherë e mirë Drejtësinë në vend. Ne kemi besim maksimal ndaj prokurorit Altin Dumani, por i takon atij të garantojë standardet më të larta dhe barabarta brenda strukturës që drejton. Por a përbën publikimi i materialeve sekrete hetimore një shkelje ligjore? A do të veprojë tani SPAK-u për të hetuar gazetarët që i kanë publikuar dhe për të sekuestruar celularin, kompjuterin dhe dosjet, siç ka vepruar në raste të tjera të ngjashme, për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit?"

Ndërsa reagimin e tij, Mero Baze e nis duke u shprehur se e vetmja gjë shqetësuese në këtë histori është fakti që materialet kanë rrjedhur në media që ai e konsideron të afërt me SPAK dhe që po i cënon reputacionin institucionit. Po ashtu thekson se nuk ndjehet as i sulmuar dhe as i fyer nga botimet, madje kërkon që nëse është e lejueshme që të nxirrën në media, t'i botojë edhe ai në median e tij. 

"Problemi është që duhet të bëjmë diferencën mes një grupi gazetarësh që kanë mbështetur SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi ndër vite, dhe disa portalesh gjobaxhinjsh që vetëofrohen si zëdhënës të SPAK, të cilët po përdoren në këtë fushatë politike. Dhe kjo është një çështje që duhet ta sqarojë vetë SPAK. Nuk kam asgjë kundër nëse SPAK zgjedh një njeri të keqpërdorur kundrejt pagesave ilegale nga ministra të korruptuar, që maskohet si demokrat i Berishës, për të rrjedhur materiale. Mjafton të thonë që “ky është njeriu ynë në media” dhe jemi në rregull — si me reputacionin e SPAK-ut, ashtu edhe me transparencën e tij. Ose, në të kundërt, të hetohet kush ka rrjedhur materialet jashtë vullnetit të tyre dhe të vihet përpara përgjegjësisë penale."

Për të, qasja e tij, nuk ka cënuar askënd për shkak se është i lirë të zgjedhë vetë qëndrimet që mban. Por ka edhe një pikëpyetje që e ka theksuar në shkrimin e tij. 

"Nëse do ta barazojë reputacionin e vet me një tufë njerëzish të keqpërdorur gjithë jetën me pagesa të zeza, është çështje e tyre. Nuk kam asgjë kundër. Thjesht duhet të jemi të qartë: a jemi në luftë me SPAK-un, me bashkëpunëtorët e tyre ilegalë në shtyp, apo me njerëz që keqpërdorin SPAK-un?,"-shkruan Baze, ndërsa shton se për të ka nisur epoka e anarkisë së drejtësisë së re. 

REAGIMI I CARLO BOLLINOS:

Të përmendesh në një përgjim si gazetar dhe për këtë të paraqitesh publikisht si kriminel, është diçka që ndodh vetëm në një regjim diktatorial. Vetëm se, në këtë rast, regjimin nuk po e krijon qeveria, por një pjesë e opozitës. Që prej ditës së djeshme ka nisur një tjetër fushatë e turpshme, episod i radhës i atij që është quajtur “metoda Bollino”, që parashikon linçimin publik të kundërshtarëve. Këtë herë, përveç meje, në shënjestër janë edhe kolegu Mero Baze dhe televizioni Top Channel. ''Syri'', portali dhe televizioni i familjes Berisha, kane filluar publikimin e një dosjeje “ekskluzive”, për origjinën e së cilës nuk duket qe ka asnjë dyshim. Në fakt, kjo dosje është pjesë e dokumentacionit që Prokuroria e Posaçme i ka dorëzuar Gjykatës së Apelit si provë shtesë për të konfirmuar masën e arrestit me burg ndaj Erion Veliajt. Dosja është klasifikuar si “akt sekret” dhe, ndonëse avokatët e Veliajt e kanë lexuar, as ata nuk e kanë marrë në dorëzim. Kështu që, kopja e vetme ekzistuese ndodhet në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut (të cilët ende nuk e kanë depozituar vendimin e arsyetuar ku mund të bashkohet pjesa e pergjimeve), por çuditërisht dokumenti ndodhet edhe në duart e disa mediave opozitare. Madje, dje, avokatët e Veliajt kanë reaguar zyrtarisht duke kërkuar nga SPAK ndalimin e botimit të materialit. Nëse bëhet fjalë për një rrjedhje të paligjshme informacioni, natyrisht që SPAK duhet të reagojë dhe të identifikojë fajtorin. Në të kundërt, mbetet si opsion se dosja ka dalë me leje nga ato zyra.

Së bashku me Syri-n, materiali po botohet edhe nga një portal periferik hibrid, i lidhur me opozitën, por i financuar edhe nga ministra dhe ish-ministra socialistë, si dhe nga disa oligarkë të mbështetur nga pushteti. Asnjë gazetar tjetër nuk ka arritur ta sigurojë këtë dosje. Por kjo nuk është dëshmi e ndonjë aftësie profesionale të medias në fjalë, por thjesht shton edhe më shumë dyshimet mbi politizimin e disa përfaqësuesve të “drejtësisë së re”.

Nga dosja, Syri ka publikuar disa përgjime telefonike të Erion Veliajt, i cili, nga kabina e burgut të Durrësit, fliste me bashkëshorten apo me vëllain. Gjatë këtyre bisedave, ndër të tjera, Veliaj u kërkonte familjarëve të kontaktonin me disa media me shpresën se do ta mbështesnin. Mediat e përmendura janë: Top Channel, Klan, Shqiptarja.com, Gazeta Tema, Gazeta Dita, Euronews dhe Report TV, një gjë krejt normale, duke qenë se bëhet fjalë për mediat më të rëndësishme të vendit.

Gjatë përgjimeve përmendet dy herë edhe “Carlo”, pra unë, gazetar dhe botues i Report TV dhe Shqiptarja.com. Një herë përmendem në një bisedë ku thuhet se vëllai i Veliajt duhet të organizojë një “takim” me mua, me Meron dhe Mirën, “me qëllim që postimet në favor të tij të bëhen gjithmonë e më shpesh”, takim që të paktën me mua nuk ka ndodhur kurrë, dhe as ajo kërkesë nuk është bërë ndonjëherë.

Herën e dytë përmendem në lidhje me një intervistë të dhënë nga Veliaj, e cila u transmetua realisht në Report TV, madje duke përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale për të strukturuar më mirë përgjigjet e tij të marra me shkrim nga qelia.

Ja pjesët e “përgjimeve inkriminuese” që Syri i ka publikuar sikur janë një skandal:

''Në orën 16:16, shtetasi Erion Veliaj bisedon me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, të cilës, ndër të tjera, i kërkon që të bisedojë me Karlon dhe ta pyesë nëse i ka marrë përgjigjet e tij për emisionin që do të zhvillohet sot. Ajola Xoxa e informon se nuk e ka numrin e Karlos.” Pra, aq “të lidhur” jemi, sa gruaja e Erion Veliajt nuk ka as numrin tim të telefonit! Por përgjimet vazhdojnë:

“Në orën 16:21, Erion Veliaj bisedon me vëllain e tij, Arbërin, të cilit i kërkon që të pyesë Karlon nëse i ka marrë përgjigjet e tij për emisionin që do të zhvillohet sot në darkë.”

Nga stresi i gjendjes ku ndodhej, Erjon Veliaj, brenda pesë minutave, duket se ka kërkuar si nga gruaja, ashtu edhe nga vëllai, të njëjtën gjë, pra që të verifikojnë nëse përgjigjet që ai kishte dhënë pas pyetjeve të redaksisë kishin mbërritur në televizion. Kaq është “skandali” që ka mjaftuar ta paraqesë dosjen si provë të ndonjë krimi të madh që paskam kryer unë.

Zinxhiri i baltosjes sipas “metodës Bollino” tashmë është i kolauduar: shpifje e re, e botuar nga mediat e Berishës, po përdoret tani nga kamikazët e familjes, si Belind Këlliçi, sikur të ishte provë për shpifjet e tyre të vjetra ndaj meje, për të cilat pikërisht Këlliçi po gjykohet në Gjykatën Penale të Tiranës ku e kam kallezuar. Madje sot, me një deklaratë publike, Këlliçi në emër të Partisë Demokratike jo vetëm që më kërcënon, por ushtron edhe presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut, duke i akuzuar pse nuk më kanë inkriminuar ende, pasi Partia Demokratike ka dorëzuar edhe dy kallëzime të rreme ndaj meje. Pra, ata që ushtrojnë presion mbi drejtësinë, akuzojnë të tjerët për presion.

I njëjti ton akuzues është përdorur edhe kundër kolegut Mero Baze dhe kundër Top Channel, ose kolegu Ilir Yzeiri të cilët, ashtu si unë, përmenden në bisedat mes Erion Veliajt dhe dy familjarëve të tij. Kuptimi i atyre përgjimeve është gjithmonë i njëjtë: Erion Veliaj, i izoluar në qeli, ka postuar në Facebook akuzat e tij ndaj prokurorit Ols Dado, i cili sipas tij e ka arrestuar padrejtësisht, dhe kërkon që familjarët të ndërhyjnë tek mediat më të rëndësishme të vendit për të ripublikuar deklaratat e tij, për të organizuar intervista apo për të rikthyer në vëmendje artikuj që e mbrojnë.

Ku është shkelja etike, profesionale apo ligjore që justifikon etiketimet dhe fyerjet publike ndaj gazetarëve, duke pasur parasysh se bëhet fjalë thjesht për intervista apo artikuj, pra lëndë e parë për çdo gazetar në botë?

SPAK, në tekstin shoqërues të përgjimeve të përdorura si provë për të kërkuar në Apel konfirmimin e arrestit me burg ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, e përshkruan këtë situatë si “një fushatë shtypi” që ka zgjatur 8 ose 10 ditë. Ne nuk dimë nëse gjyqtari i Apelit, në arsyetimin që ende nuk është bërë publik, e ka përdorur vërtet atë përpjekje për propagandë mediatike nga ana e Veliajt si një arsye shtesë për ta mbajtur në burg. Nëse ka ndodhur, do të ishte surprizues, sepse detyra e gjyqtarit nuk është të gjykojë se çfarë thotë një i burgosur në një bisedë telefonike të autorizuar me familjarët (të cilën Veliaj me sa duket e kishte të drejtë ta kryente), por vetëm nëse ai ka kryer ose jo ndonjë vepër penale. Nuk ka ligj në botë që i imponon një të burgosuri se çfarë duhet të thotë në telefonatat e tij të lejuara. Aq më pak, të mund të mohohet e drejta për t’u vetëmbrojtur, pasi vetëm gjatë diktaturës enveriste mbrojtja e të pandehurit ishte e ndaluar. Natyrisht, ai nuk mund të urdhërojë kryerjen e krimeve per shembull, dhe nëse e bën, përgjigjet për to. Por të kërkosh ripublikimin e një statusi që tashmë është i botuar në Facebook, apo të kërkosh nepërmjet shkrimeve publike apo intervistat mbështetje për mbrojtjen tënde në media, nuk përbën vepër penale. Dhe në fakt, edhe vetë SPAK nuk i atribuon Veliajt ndonjë akuzë të re.

Sigurisht që nuk kemi kryer asnjë vepër penale as ne gazetarët të përmendur në pergjime, të cilët, si në Shqipëri ashtu edhe kudo në botë, përdorim postimet në Facebook të politikanëve si materiale për botim apo i ripublikojmë shkrimet e mediave të tjera. As nuk përbën shkelje të ligjit nëse bëjmë intervistat apo shprehim mendime kundër vendimeve të drejtësisë, e aq më pak, ato mendime mund të konsiderohen “presione”. Kjo është pikërisht ajo që nënkuptohet me lirinë e shtypit dhe lirinë e mendimit, e cila në fakt mohohet vetëm në regjimet diktatoriale.

Ajo që e bën komike gjithë këtë fushatë linçimi përmes përdorimit të qëllimshëm të përgjimeve të SPAK-ut, është se protagoniste është një media si Syri, e cila për më shumë se një vit (e jo për 10 ditë siç i faturohet Veliajt) ka sulmuar publikisht gjyqtarë dhe prokurorë, sepse kanë arrestuar Sali Berishën dhe dhëndrrin e tij për aferën e ish-klubit “Partizani”. Nëse Veliaj kërkonte nga mediat kryesore të vendit që të ripublikonin postimet e tij, apo dërgonte përgjigje me shkrim për intervista në distancë, Sali Berisha ka mbajtur mbi 300 mitingje publike nga ballkoni kur ishte ne arrest shtepje të transmetuara “live” nga thuajse të gjitha televizionet e vendit duke përdorur kamerat dhe pajisjet e Syri tv; ka dhënë intervistat të shumta me video (pa nevojë për inteligjencë artificiale) për Syri-n dhe çdo media tjetër që ia kërkonte, përfshirë edhe televizione të huaja; ka bërë presione dhe kërcënime të përditshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve; ka frikësuar dëshmitarët; ndërkohë që një ushtri “analistësh” të paguar nga familja Berisha çdo mbrëmje ka marrë pjesë në debate televizive (duke nisur nga ekranet e Syri-t) për të mbrojtur Sali Berishën dhe për të kriminalizuar SPAK-un. Dhe në fund të kësaj beteje, Berisha ka fituar edhe lirinë.

Kjo po, ka qenë një fushatë e mirëfilltë për të intimiduar drejtësinë, që përfshinte edhe linçimin publik të atyre pak gazetarëve që kishin guximin të mos bëheshin pjesë e saj (pikërisht të njëjtët gazetarë që sot përfshihen në shpifjet e reja duke përdorur përgjime ndaj Erion Veliajt). Dhe megjithatë, SPAK nuk reagoi asnjëherë, as botoi ndonjë listë me media të përfshira në fushatën mbi njëvjeçare berishane, siç ka bërë tani me Erion Veliajn. Edhe pse në ato përgjime të bëra publike nga SPAK, është e qartë që gazetarët nuk kanë kryer asnjë shkelje, fakti që përmenden me emër (në vend që të mbulohen me “omissis”, siç ndodh zakonisht për persona që nuk janë subjekt i hetimeve) krijon një precedent të rrezikshëm, sepse përbën hapin e parë drejt ndërtimit të “listave të zeza” për median.

Pjesa më e rëndë te kjo histori lidhet pikërisht me rolin që mund të kenë luajtur disa elementë brenda SPAK-ut, institucion që ka marrë një pushtet të jashtëzakonshëm nga Kushtetuta, jo për të vepruar politikisht, jo për të zbatuar standarde të dyfishta, jo për të favorizuar individë, media apo klane të caktuara, por për të vendosur njëherë e mirë Drejtësinë në vend. Por si mund të vendoset Drejtësia duke bashkëpunuar në forma preferenciale me disa media periferike dhe gjysmë-ilegale, që dihet botërisht që paguajnë rroga në zarfe me para të pista dhe mbijetojnë përmes gjobave dhe shpifjeve, është diçka krejtësisht e papranueshme dhe e pakuptueshme. Një institucion kaq i rëndësishëm siç është SPAK-u, për të qëndruar në nivelin e pritshmërive që ka krijuar, duhet të bëjë dallimin mes njerëzve të ndershëm dhe mashtruesve, duhet të tregojë realisht pavarësi nga çdo pushtet dhe, mbi të gjitha, të mbajë kontakte vetëm me shtresat më të larta dhe më të pastra të shoqërisë shqiptare, e jo të zhvillojë takime apo marrëdhënie selektive me përfaqësuesit më të kalbur e më të dyshimtë të botës mediatike. Ne kemi besim maksimal ndaj prokurorit Altin Dumani, por i takon atij të garantojë standardet më të larta dhe barabarta brenda strukturës që drejton.

Rreziku nuk është vetëm të njollosen emrat e gjyqtarëve apo prokurorëve që ulen në atë nivel, por që të dëmtohet në mënyrë të parekuperueshme imazhi dhe besueshmëria e institucion që ata përfaqësojnë, që nuk është një ndërrmarje e tyre private por investimi kolektiv i të gjithëve ne.

POST SCRIPTUM 1 - Por a përbën publikimi i materialeve sekrete hetimore një shkelje ligjore? A do të veprojë tani SPAK-u për të hetuar gazetarët që i kanë publikuar dhe për të sekuestruar celularin, kompjuterin dhe dosjet, siç ka vepruar në raste të tjera të ngjashme, për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit?

POST SCRIPTUM 2 - Titulli i deklaratës së Belind Këlliçit, i botuar në faqen zyrtare të Partisë Demokratike, është vërtet surreal: “Këlliçi: SPAK kundër SPAK. Prokurorë të kësaj strukture inkurajojnë leçjanin Karlo Bollino, të godasë kolegët e tyre!” Pra, një presion dhe një përpjekje diversioniste qesharake, sikur tani PD duhet të mbrojë prokurorët e SPAK-ut nga Bollino! Por zoti Këlliçi, rri i qetë: kallëzimi i dytë penal ndaj teje është gati. Shihemi përsëri në gjykatë, vetëm këtë herë mos u fshih si herën e parë.

REAGIMI I MERO BAZES:

E vetmja gjë shqetësuese në këtë histori të përgjimeve të SPAK që rrjedhin në media të afërta me klane brenda SPAK-ut, nuk është lakimi i emrave nga personat e përgjuar, por reputacioni i SPAK. Personalisht nuk ndjehem as i sulmuar dhe as i fyer që botohen përgjimet e një të burgosuri në stres me familjarët e tij, por ndjehem i keqardhur për linçimin ndaj tij. Nëse SPAK e ka politikë që duhen botuar përgjimet e një të burgosuri, mund të na i ofrojë zyrtarisht që t’i botojmë edhe ne. Problemi është që duhet të bëjmë diferencën mes një grupi gazetarësh që kanë mbështetur SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi ndër vite, dhe disa portalesh gjobaxhinjsh që vetëofrohen si zëdhënës të SPAK, të cilët po përdoren në këtë fushatë politike. Dhe kjo është një çështje që duhet ta sqarojë vetë SPAK. Nuk kam asgjë kundër nëse SPAK zgjedh një njeri të keqpërdorur kundrejt pagesave ilegale nga ministra të korruptuar, që maskohet si demokrat i Berishës, për të rrjedhur materiale. Mjafton të thonë që “ky është njeriu ynë në media” dhe jemi në rregull — si me reputacionin e SPAK-ut, ashtu edhe me transparencën e tij. Ose, në të kundërt, të hetohet kush ka rrjedhur materialet jashtë vullnetit të tyre dhe të vihet përpara përgjegjësisë penale. Kjo praktikë e përbaltjes në emër të SPAK duhet të marrë fund, jo për ata që tentojnë të përbalten, por për reputacionin e SPAK. Mua, si gazetar, nuk më cenohet asgjë në jetën time profesionale apo personale pse dikush flet për mua, apo pse mbroj dikë që është nën akuzë. Fakti që jam i lirë të zgjedh vetë qëndrimet e mia, më mjafton të ndjehem njeri i lirë.

Por edhe SPAK duhet t’i dalë zot institucionit që përfaqëson në opinionin publik, dhe ta bëjë të qartë se çfarë është e tij në këtë fushatë dhe çfarë është kundër vullnetit të tij. Nëse do ta barazojë reputacionin e vet me një tufë njerëzish të keqpërdorur gjithë jetën me pagesa të zeza, është çështje e tyre. Nuk kam asgjë kundër. Thjesht duhet të jemi të qartë: a jemi në luftë me SPAK-un, me bashkëpunëtorët e tyre ilegalë në shtyp, apo me njerëz që keqpërdorin SPAK-un? Historia e gjobaxhinjve peslekësh të shtypit që flasin në emër të SPAK duhet të marrë fund, jo për shtypin shqiptar — ai ka degraduar aq keq, sa nuk e rregullon më as SPAK-u — por për dinjitetin e drejtësisë, e cila tani është bërë e keqpërdorura më e madhe nga politika, ndërkohë që gjithë kjo reformë u bë që ajo të ishte mbi politikën. Të dënosh ministra apo opozitarë, qoftë edhe pa fund, nuk do të thotë se je mbi politikën, nëse nuk je transparent dhe nuk provon se nuk të keqpërdor asnjë palë. Statistikat nuk zëvendësojnë kurrë drejtësinë. Drejtësinë e sjellin standardet, jo statistikat. Ti mund të dënohesh 10 vetë, por nëse dënon një njeri pa faj, ke bërë një krim — madje një krim më të madh sesa mosdënimi i një që ka vrarë katër vetë në bulevard. Por kur sheh se kush flet në emër të SPAK dhe kush bën “pretencë publike” para se të flasë vetë drejtësia, jemi përballë një problemi edhe më të madh sesa drejtësia që e dinim se e kontrollonte politika.

Jemi në anarkinë e drejtësisë, e cila është më e keqe se drejtësia më e keqe./ZËRI

Poll

MOS HUMB