DURRËS- Qindra familje janë përmbytur dhe banesat e tyre janë momentalisht të pabanueshme pas reshjeve intensive të shiut. Ish-Këneta në Durrës vijon të mbetet nën pushtetin e ujit. Banorët e alarmuar nga dëmet e pallogaritshme, shprehen se kjo është një problematikë e vazhdueshme që po ndodh për të 3-tën herë brenda viti.
"Ka rënë shi i madh, këtë duhet ta pranoj, por jo tre herë përmbytje. Jemi përmbytur në shtator, nëntor dhe tani. Unë s’dua lekë, dua një investim që të rri rehat në shtëpinë time. Kemi fjetur gjumë në katin e dytë, nëna fle akoma në ballkon. Gjatë kësaj kohe, të na rrojë kati i dytë, se do kishim dalë me çadra. Të gjendet një zgjidhje. Problemi është se bashkia s’ka asnjë investim këtu. Ne jemi nga një planet tjetër, jemi UFO. Në kohën e xhaxhit ishte krejt kanalizime, s’të prekte këmba në ujë. Jo me u bë nami tre herë. Tre herë për këtë vit, shtator, nëntor edhe tani,"-shprehet një nga banorët.
“Po mundohemi të heqim ujin. Pajisjet kanë dalë jashtë përdorimi. Jemi të torturuar, është e 3 herë brenda vitit. Ata të komunës nuk vijnë për të parë situatën në vend. Ja po vuajmë kësaj radhe, problemi është për të mos u përsëritur”, tha një banor tjetër.
Ndërkohë bizneset dhe banesat në Gjirokastër ndodhen të mbuluara nga balta, inertet dhe gurët. Përmbytjet kan shkaktuar dëm etë mëdha në banesa e biznese.
"Është shkatëruar çdo gjë, dëm i pallogaritshëm, rreth 300 mijë euro dëm, sepse produktet që kemi këtu kanë vlerë, nuk di çfarë të them. Përmbytje që nuk e kishim rastisur ndonjëherë më parë,"-shprehet pronari i një dyqani me veshje në Gjirokastër.
Ndërkohë në Vlorë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në fshatin Vajzë, duke dëmtuar rrugën e fshatit dhe dy banesa. Fillimisht është dëmtuar rruga që lidh fshatin, ndërsa më pas masa e dheut e shkëputur nga kodra është spostuar drejt zonës së banuar, duke shkaktuar dëmtime në dy banesa.
“Në orën 2 ra shtëpia mua mu duk gjëmim. Kjo ka filluar nga ora 3 që është bërë shkallë e gjitha. Dolëm kështu, shpëtuam edhe lopën. Ne s’kemi marrë asnjë palë rroba për të ndërruar. Vendi që kam unë është i dëmtuar, nuk ka ngelur asnjë centimetër pa luajtur”, tha banori.