KOMAN-Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën turistike të Komanit, ku dy mjete lundruese janë përplasur me njëra-tjetrën në afërsi të Lumit të Shalës. Nga përplasja mes dy skafeve kanë mbetur të plagosur 5 persona, të cilët po dërgohen me helikopter drejt spitalit të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Dy mjetet lundruese, me të cilat po udhëtonin disa turistë, ishin nisur nga Komani në drejtim të Lumit të Shalës. Policia dhe Ambulanca kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre nga uji.
Ndërkohë si shkak për aksidentin dyshohet shpejtësia e lartë e mjeteve lundruese në një kthesë me fushëpamje të kufizuar.
Njoftimi i Policisë:
"Koman, Vau i Dejës/Informacion paraprak
Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime.
Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.
Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes."/ZËRI