KSAMIL-Vrasja e turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në plazhin e Principotes, Ksamil ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, 18 gusht, ka marrë jehonë të gjerë në mediat portugeze, duke tronditur opinionin publik përtej kufijve të Shqipërisë.
"Një 20-vjeçar portugez u ther për vdekje në Shqipëri'-e nis artikullin media ojogo.pt, teksa në tekst raporton se i riu, i cili ishte me pushime në vend, u godit me thikë në një shezlong plazhi pas një grindjeje që filloi brenda një bari.
"Portugezi u ther për vdekje në një plazh në Shqipëri. Njëmbëdhjetë persona u arrestuan në lidhje me krimin,'-është titulli i artikullit të pt.euronews.
Portugezi, i cili thuhet se ndodhej në Shqipëri si turist, u gjet i vdekur pasi u godit me thikë ndërsa ishte ulur në një shezlong në plazh, përpara një bari në zonën turistike të Ksamilit, pas një grindjeje të vogël,thuhet në media teksa në teks janë bashkangjitur edhe pamjet e arrestimit të autorit të dyshuar 29-vjeçarit, Sokrat Vata.
Edhe media publico.pt shkruan se një portugez 20-vjeçar që ndodhej në Shqipëri me pushime u gjet i vdekur pasi u godit me thikë ndërsa ishte ulur në një shezlong në plazh, përpara një bari në zonën turistike të Ksamilit. Në tekst thuhet se rojet e sigurisë në ambjentin e lokalit ku ndodhi krimi ishin njerëz me funksione publike - një oficer policie, një punonjës burgu dhe një oficer policie bashkiake.



Sipas raportimit të Policisë, 20-vjeçari portugez u dhunua nga grupi i kamarierëve të Principotes, ku i përfshirë kryesor bashkë me Sokrat Vatën ka qenë edhe David Gjana, i shpallur në kërkim. Gjana (Heurtevent), klient në lokal, ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi është dhunuar edhe nga pjesëtarët e tjerë të stafit, ka qenë Sokrat Vata nga Hasi që e ka tërhequr të riun duke e nxjerrë jashtë ambientit clubit të natës brenda Principotesit, “La Guerre”.
Turistin portugez e ka dërguar deri te shezlongët e beach bari-t aty pranë, “Paradise”, ku edhe e ka goditur me thikë për vdekje. Vata u arrestua 5 orë pasi u konstatua trupi i pajetë i turistit në Levan, ku ishte fshehur në bagazhin e mjetit tip Ford të dy shtetasve turq.
Policia ka shpallur në kërkim pronarin e Principotes, Bekim Bulica ndërkohë është ndaluar edhe polici i kufirit në Gjirokastër, Moisid Matushaj, pasi dyshohet se e ka ndihmuar të riun. Po në Sarandë, 3 ditë më parë, u dhunua shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, pasi ndërhyri në një sherr ku po dhunohej një turist i huaj. Truprojat e Orange e dhunuan efektivin. Lidhur me rastin janë arrestuar 11 persona, të përfshirë kamarierë dhe efektivë të cilët punonin truproja në 'Principote'./ZËRI