
TIRANË- Një 2-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është përplasur për vdekje nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në Fushë Domje të Tiranës. Sipas Policisë së Shtetit, Ylber Manarkolli, i cili është edhe fqinji i viktimës, përplasi me mjetin e tij të miturin. Pasi fëmija u godit nga drejtuesi i mjetit, u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës nga familjarët për mjekim, por, fatkeqësisht, ndërroi jetë gjatë trajtimit.
Nga informacionet e para, mësohet se fëmija ka qenë duke luajtur në oborrin e banesës dhe më pas ka dalë në rrugë. Pikërisht në këtë moment, është përplasur nga makina. Shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, por arratia e tij nuk ka zgjatur shumë dhe është vendosur në pranga. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kamëz/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në Spitalin e Traumës, familjarët kanë dërguar për mjekim një të mitur rreth 2 vjeç, të cilin e ka aksidentuar në Kamëz një automjet me drejtues ende të paidentifikuar. Si pasojë i mituri ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të rastit.
Tiranë/Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë ju bëjmë me dije se; Falë veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, që aksidentoi me pasojë vdekjen e dy vjeçarit. Drejtuesi i automjetit, shtetasi Y. M., 58 vjeç, është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme procedurale. Gjithashtu, është bërë gjetja dhe sekuestrimi i automjetit tip “Benz”me të cilin ky shtetas shkaktoi aksidentin. Nga verifikimet ka rezultuar se aksidenti ka ndodhur në Fushë Domje dhe jo në Kamëz. Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave dhe shkakut të aksidentit./ZËRI