
LEZHË- Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Klevis Ndrecën dhe Daniel Gjeloshin. Ata janë arrestuar pas përplasjes me arme zjarri që ndodhi ditën e shtunë në Laç, ku mbeti i vrarë Gerald Bitri dhe u plagosën katër të tjerë, mes tyre edhe një shitëse ambulante. Gjatë seancës së sotme ishte i pranishëm Klevis Ndreca, ndërsa Daniel Gjeloshi, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor për shkak të plagëve, u përfaqësua nga avokati mbrojtës.
Pas shqyrtimit të materialeve, gjyqtari Lirim Buluca e konsideroi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe caktoi masën “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.
Si nisi sherri
Të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makinë kanë kapur pasqyrat e njëri-tjetrit. Konflikti verbal 5 minuta më vonë ka agravuar në përdorimin e pistoletave. 5 minuta para ngjarjes ka ndodhur konflikti për prekjen e pasqyrave të makinës dhe e kanë lënë të takohen e të sqarohen pak më tutje në rrugën ku ndodhi edhe ngjarja.
Sapo kanë ndaluar dhe zbritur të gjithë nga makinat kanë dalë në këmbë e janë afruar. Ndreca ka nisur të qëllojë me armë. Ndreca dhe Gjeloshi kanë qëlluar me armë në drejtim të njëri-tjetrit. Klevis Ndreca ka qëlluar me armë drejt tre të rinjve të tjerë të cilët i la të plagosur (sot në spital ndërroi jetë Gerald Bitri), nga të shtënat me armë i plagosur aksidentalisht mbeti edhe shoku i tij Amarildo Ndoj dhe shitësja ambulante. Me armë zjarri pistoletë është kundërpërgjigjur edhe Daniel Gjeloshi por nuk ka plagosur asnjë person.
Në pranga janë vendosur Daniel Gjeloshi, 27 vjeç dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç. Ky i fundit ka qenë i pari që ka nisur të qëlloj me armë. Në dëshminë e tij paraprake, 28-vjeçari ka deklaruar se ka qëlluar me armë drejt të rinjve sepse është trembur, pasi sipas tij, i ka parë që kanë pasur armë dhe kanë dashur ta godasin dhe për këtë arsye i ka qëlluar. Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin, i cili humbi jetën./ZËRI