TIRANË- Është zhvilluar në ambientet e Gjykatës së Posaçme seanca e radhës në ngarkim të Erion Veliajt, ku do të vendoset nëse çështja ndaj tij, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe të bashkëpandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim. Vetë Veliaj ishte i pranishëm në seancën e sotme, ku nuk kanë munguar përplasjet me trupën gjykuese.
Kryebashkiaku i Tiranës, i rikthyer në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ka ripërsëritur kërkesën e tij, që të mos qëndrojë në kafazin e qelqtë gjatë seancës, kërkesë që i është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme. Veliaj ka kërkuar gjithashtu që të ketë kohë që të njihet me të gjitha aktet e dosjes, ndërsa ka akuzuar Gjykatën për përdorimin e dy standardeve, duke iu referuar praktikës që është ndjekur me ish-presidentin Ilir Meta.
Një tjetër zhvillim në sencën e sotme është dhe zëvendësimi i një prej avokatëve mbrojtës të Veliajt, Artan Gjermenit, në vendin e të cilit gjykata i ka caktuar një avokat kryesisht, Valentina Teodoreskun. Gjyqi ndaj Veliajt tashmë është shtyrë për në datën 5 Janar, pasi avokatja e caktuar nga shteti kërkon kohë që të njihet me aktet dhe dosjen.
Kërkesa e plotë e avokatëve të Veliajt
E nderuar Gjykatë,
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndodhet për gjykim në seancë paraprake kërkesa penale e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si atribuim kundër të pandehurit Erion Veliaj për veprat penale objekt gjykimi.
Në seancën gjyqësore paraprake të datës 02.12.2025, nga ana e të pandehurit Erion Veliaj, i pranishëm në këtë seancë, midis të tjerave është kërkuar:
1. “Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së, e cila e konsideron këtë praktikë si trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.
2. Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes, në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.
3. Shtyrjen e procedurës derisa kjo e drejtë elementare — e drejta për t’u mbrojtur — të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.”
Kjo kërkesë e paraqitur nga i pandehuri Erion Veliaj, me vendim të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar datë 02.12.2025 është rrëzuar me argumentet e cituar në procesverbalin gjyqësor të seancës.
Konstatojmë se ka qëndrime të ndryshme pranë kësaj Gjykate në zbatimin e ligjit procedural penal, lidhur me njohjen e akteve bazuar posaçërisht në nenet 34/a dhe 327 pika 2 & 3.
Konstatohet se në shumicën e rasteve, të pandehurve të ndryshëm, u mundësohet njohja me aktet dhe marrja e kopjes së tyre.
Posaçërisht, i sjellim në vëmendje kësaj Gjykate se në procedimin penal nr.55 të vitit 2019, në seancën e datës 04.12.2025, e njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai. Rasti e sjell që edhe në procedimin penal nr. 55/2019, një nga përfaqësuesit e organit të akuzës përkon si në procedimin e relatuar dhe në procedimin ndaj të pandehurit Erion Veliaj.
Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate.
Qëllimi i kësaj kërkese nuk është zvarrijta e procesit por garantimi i të drejtës kushtetuese në bazë të nenit 31 të Kushtetutës i cili parashikon se të pandehurit në paraburgim i duhet vënë në dijeni të plotë, reale dhe efektive materiale të çështjes, të cilat në rastin konkret përbëjnë një volum prej afërsisht 60.000 faqe (në mënyrë elektronike 21 gb).
Theksojmë se kjo Gjykatë ka arsyetuar mbi rrëzimin e kërkesës për njohje me aktet me argumentin se është njohur mbrojtësi i zgjedhur nga i pandehuri Erjon Veliaj dhe është marrëdhënia e tij me të pandehurin për ta njohur atë më aktet.
Ndërkohë, neni 327, pika 2 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale parashikojnë se:
“2. Brenda afatit të parashikuar nga neni 324, i këtij Kodi, prokurori njofton mbi përfundimin e hetimeve paraprake të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit.
3. Njoftimi përmban përshkrimin e përmbledhur të faktit penal për të cilin procedohet, kohën dhe vendin e kryerjes, cilësimin juridik, lajmërimin për depozitimin e akteve në sekretari dhe të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje.”
Nga interpretimi literal i nenit 327, pika 2, rezulton se prokurori është i detyruar të njoftojë secilin subjekt të listuar në mënyrë të veçantë, pra “të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën”. Përdorimi i presjeve dhe renditja e pavarur e subjekteve provon se njoftimi nuk është unik, nuk është i bashkuar dhe nuk është i zëvendësueshëm midis tyre. Ligji nuk përdor shprehje si “përmes mbrojtësit” ose “njoftimi i bërë mbrojtësit vlen për të pandehurin”. Përkundrazi, formulimi gramatikor tregon qartë se çdo subjekt ka të drejtë të marrë njoftimin e të njihet me aktet personalisht, dhe jo përmes një subjekti tjetër.
Pika 3 e nenit 327 përcakton se njoftimi duhet të përmbajë edhe “të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje”. Kjo e drejtë u adresohet të gjithë subjekteve që marrin njoftim sipas pikës 2, pra edhe vetë të pandehurit. Dispozita nuk parashikon se e drejta e të pandehurit konsumohet ose shuhet nga ushtrimi i saj nga mbrojtësi. Përkundrazi, struktura gramatikore dhe logjika e dispozitës tregojnë se çdo person i njoftuar ka të drejtën autonome të njihet personalisht me aktet, pa u zëvendësuar nga një përfaqësues.
Arsyetimi i gjykatës se njohja e mbrojtësit mjafton edhe për të pandehurin bie ndesh me interpretimin literal të ligjit, pasi dispozita i drejtohet qartë dy subjekteve të dalluara: të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Në mungesë të një formule ligjore që tregon se mbrojtësi zëvendëson të pandehurin për efekt të njoftimit, nuk mund të krijohet artificialisht një efekt i tillë. Mbrojtësi është një garantues procedural, por jo zëvendësues i të drejtave personale të të pandehurit, të cilat ligji i njeh në mënyrë të vetëqëndrueshme.
Në momentin që i pandehuri shpreh vullnet të drejtpërdrejtë për t’u njohur vetë me aktet, organi procedues ka detyrimin ligjor t’ia garantojë këtë të drejtë. Ky vullnet nuk mund të shpërfillet me arsyetimin se mbrojtësi ka pasur akses në dosje, pasi e drejta procedurale e të pandehurit është personale dhe e pavarur nga mënyra e ushtrimit të mbrojtjes nga avokati. Refuzimi i gjykatës për të vlerësuar kërkesën e drejtpërdrejtë të të pandehurit bie ndesh me strukturën dhe tekstin e dispozitës ligjore.
Nëse do të pranohej që mjafton njohja e mbrojtësit, atëherë përfshirja e të pandehurit në listën e subjekteve që duhet të njoftohen bëhet plotësisht e panevojshme.
Dispozita procedurale duhet të interpretohet në mënyrën që jep më shumë garanci për të pandehurin dhe jo që i kufizon ato. Midis dy interpretimeve – një që e njeh të drejtën e të pandehurit për të parë vetë aktet, dhe një që e mohon atë me arsyetimin se është njohur avokati – duhet të prevaloj interpretimi që garanton të drejtën efektive të mbrojtjes.
Arsyetimi i gjykatës e kthen të pandehurin në subjekt pasiv të procesit, duke kufizuar padrejtësisht një të drejtë të dhënë qartë nga ligji.
Për këto arsye bazuar në nenet 112, të Kodit të Procedurës Penale; 34/a, 327/2/3, 332/c; të Kodit të Procedurës Penale, nenet 31 e vijues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Nenet 3, 6 e vijues të KEDNJ.
KËRKOJMË
- Revokimi i vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 02.12.2025.
Ju faleminderit.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në një seancë të mëparshme avokatët e kryebashkiakut kërkuan që ai të ketë mundësi t’i lexojë në paraburgim të gjitha fashikujt e SPAK, ndërkohë që përveç Veliajt në dosje janë edhe 29 të pandehur të tjerë. Dy javë më parë avokatët e Veliajt dorëzuan kërkesë në Kushtetuese për shfuqizimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, mbasi ata e konsiderojnë si antikushtetues, ndërkohë që më herët e njëjta gjykatë vendosi kundër shkarkimit të tij nga detyra si kryebashkiak.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /ZËRI

