VLORË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga marrja peng për më shumë se dy jave e një shtetasi nga Kosova në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve, Fisnik Xhaka u mor peng nga 3 të rinj vlonjatë, për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku 39-vjeçarit i kërkohej një shumë prej 70 mijë eurosh, pasi kishte dalë garant për një sasi lënde narkotike në një shtet europian.
Të arrestuarit si të dyshuar për pengmarrjen janë Julian Zogaj, Orest Çorapaj dhe Vilson Agaj ndërsa gjatë aksionit iu janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Vetë Xhaka, ka kyçur gojën në polici, dhe nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me konfliktin që ka çuar në pengmarrjen e tij, ndërkohë që ka qenë një familjare e 39-vjeçarit ajo që ka dhënë alarmin për zhdukjen e tij. Familjarja, me banim jashtë vendit, ka telefonuar policinë e Vlorës, dhe më pas gjatë kontrolleve është bërë e mundur dhe lokalizimi i 39-vjeçarit, i cili përgjatë këtyre dy javëve dyshohet se dhe është dhunuar.
“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F.Xh, 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor si dhe kapja në flagrancë e shtetasve: J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës. /ZËRI