SHKUP-Studentë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare u mblodhën sot para Urës së Gurit në Shkup, për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Slogani i protestës ishte “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave gjuhësore në provimet e jurisrudencës. Studentët marshuan me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta të shumta, përmes të cilave kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov dhe të kryeministrit Hristjan Mickoski. Organizatorët e saj raportuan se 3 studentë nga Trana ishin arrestuar kur një autobuz me studentë nga Shqipëria ishte ndaluar dhe shoqëruar drejt Kumanovës.
Nga ana tjetër qeveria dhe partitë shqiptare në pushtet patën një takim dy orë para protestës, me kryeministrin Mickoski. Partia VLEN e Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit premtoi se provimet e jurisprudencës do të mbahen në gjuhën shqipe.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dija përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. Më herët në një postim në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministri i parë siguroi se provimi do të jepet në gjuhën shqipe. “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira”, shkruan Izet Mexhiti.
Ndërkohë edhe zëvendëskryeministri Bekim Sali u shpreh në Kuvend se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Ai shtoi se studentët kanë të drejtën e tyre për të protestuar dhe ata po e bëjnë për frontin europian.
"Ne zërin e studentëve e kemi dëgjuar dhe herën e kaluar e thashë, tani prapë po e përsëris, ekzekutivi qendror ka dëgjuar zërin e studentëve dhe i ka përveshur krahët për ta zgjidhur problemin e tyre njëherë e përgjithmonë. Kam thënë këtu, e parë do e them deri sa ju të bindeni, që provimi i jurisprudencës dhe provime të tjera të cilat kanë të bëjnë me natyrën e mbulimit të jurisprudencës në të ardhmen do të jepen në gjuhën shqipe. Kjo është e vërtetuar dhe këtë do ta dëshmojmë shumë shpejt përpara jush. Protestat e studentëve i pranuam si revoltë normale dhe është e drejtë e tyre për të protestuar. Ata nuk protestojnë për VLEn, protestojnë për frontin europian”, u shpreh Sali.
Sipas Ligjit për Provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, nuk ekziston ndonjë kufizim që detyron dhënien e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin e gjuhës shqipe nëse të paktën 20% e qytetarëve flasin këtë gjuhë. Neni 2 dhe Neni 5 i këtij ligji përcaktojnë qartë që institucionet shtetërore dhe gjykatat duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat zyrtare.
Debati për Ligjin e Gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi në shtator të vitit 2017, por miratimi i këtij ligji ngeci për shkak të Partisë VMRO. Në vitin 2018, ligji i miratuar për dygjuhësinë vendosi që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.
Pas peticionit të mbi 380 studentëve, qëndrimet zyrtare kanë pësuar luhatje, nga pranimi fillestar i së drejtës, deri te arsyetimi se nevojiten ndryshime ligjore. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar formimin e një grupi pune, edhe pse ekspertët juridikë theksojnë se baza ligjore për përdorimin e shqipes tashmë ekziston./ZËRI