Aktualitet

Plagoset 15-vjeçari në Tiranë/ U qëllua në qafë me armë nga kolegu në picerinë ku punonte

Sipas asaj që bën me dije Policia e Tiranës, rreth orës 17:10, 15-vjeçari i plagosur ka shkuar vetë në spital.

k.m.
Plagoset 15-vjeçari në Tiranë/ U qëllua në qafë
Foto ilustruese

TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një adoleshent është plagosur me armë zjarri. Sipas asaj që bën me dije Policia e Tiranës, rreth orës 17:10, 15-vjeçari i plagosur ka shkuar vetë në spital, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ajo që është mësuar deri më tani, adoleshtenti ishte qëlluar në qafë me armë zjarri në një piceri në zonën e Ali Demit në Tiranë. Dyshohet se i mituri është plagosur me armë zjarri nga kolegu i punës.

I mituri dhe personi që e ka qëlluar ishin të dy kolegë pune, njëri kamarier e tjetri motorist, por po ashtu ka dyshime se ngjarja ka qenë aksidentale. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e një shkrepjeje të pavullnetshme, por nuk dihet sesi është siguruar arma e zjarrit. Ndaj për të plotësuar dinamikën e ngjarjes, duhet edhe dëshmia e autorit, i cili është ende në arrati. Policia ka nisur nga puna për kapjen e tij, por ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Informacion paraprak.

Rreth orës 17:10, është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital një shtetas i mitur 15 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri tek Ali Demi, është plagosur me armë zjarri. Aktualisht 15-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë sëbashku me grupin hetimor kanë shkuar menjeherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar i cili për arsye se hetimi vijon nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Vijon puna për dokumentimin e plotë e rrethanave të rastit./ZËRI

Poll

MOS HUMB