
KUKËS- Sebastian Muçmata, vëllai i drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë e Kukësit, Zenel Muçmata, që u arrestua pasi plagosi Elvis Halilin ka dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes. Sipas autorit, konflikti mes tyre ka ndodhur pasi i plagosuri u pushua nga puna dhe pretendonte se shkarkimi i tij ishte i padrejtë dhe u vendos nga Zenel Muçmataj.
Më tej, shtoi se Qerim Halilaj, vëllai i të plagosurit ka kërcënuar me armë zjarri babain e tij dhe pasi kësaj ai ka shkuar menjëherë drejt makinës, ku ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të dy vëllezërve, që janë kushërinj të kreut të bashkisë së Kukësit Albert Halilaj.
Muçmata shtoi se nuk kishte si qëllim të vriste askënd, por dëshmoi se ata kishin dhunuar vëllain e tij Zenelin dhe e kishin lënë pa ndjenja në tokë.
“I pandehuri Sebastian Muçmata akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake parashikuar nga nenet 76, 22, 278 dhe 25 të Kodit Penal. Çfarë keni për të thënë për këtë akuza dhe për këtë ngjarje?”, tha organi akuzës.
“Me faktin dhe akuzën u njoha dhe për sa më pyesni dhe më akuzoni kam për të shtuar se nuk kam shkuar për të vrarë njeri, por në momentin që kam shkuar, aty Qerimi (vëllai i të plagosurit) i ka drejtuar armën babait tim Izetit (Muçmata), në këto momente kam shkuar menjëherë te makina dhe kam marrë një armë tip pistoletë që e kisha në bagazh dhe kam qëlluar në drejtim të rrugës ku ishin dy vëllezërit Qerimi dhe Elvisi Halilaj, po të kisha qëllim për t’i vrarë unë e kisha atë mundësi, por nuk kam pasur qëllim vrasjen e asnjë personi. Unë, kur kam mësuar se pikërisht shtetasit Qerim e Elvis Halilaj kishin rrahur sot te agjencia e Bicajve vëllanë tim Zenelin, i cili ka ngelur pa ndjenja i shtrirë në tokë”, tha Muçmataj.
29-vjeçari u vetëdorëzua një natë më parë në Polici, disa orë pasi plagosi Elvis Halilajn në fshatin Bicaj të Kukësit. Sipas autorit, konflikti ndodhi pasi dy vëllezërit Qerim dhe Elvis Halilaj i dhunuan vëllanë dhe i kërcënuan babanë për një vend pune. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Bicaj të Kukësit. Halilaj është dhe kushëri i kryetarit të Bashkisë Kukës, Albert Halilaj. Menjëhere pas kësaj përplasje, deputeti socialist Eduard Shalsi pushoi nga detyra si kryetar të PS, Albert Halilajn./ZËRI