TIRANË- 2 persona janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pas sherrit të ndodhur dje pranë gjimnazit Ibrahim Rugova në Kamëz, ku mbetën të plagosur 3 të mitur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Personat e vënë në pranga janë po ashtu 16-vjeçarë, ndësa arrestimi i tyre është bërë në prani të familjarëve dhe psikologut. Njëri prej të nxënësve që është qëlluar me thikë, ndodhet ende në gjendje kritike për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË: Zbardhen rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.
Arrestohen 2 të miturit që dëmtuan me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit e tjerë.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.
Punohet për gjetjen e mjetit prerës të përdorur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Edhe pse në njoftimin e policisë thuhet se konflikti ka ndodhur në rrugë, në fakt kamerat e sigurisë së shkollës kanë evidentuar nisjen e konfliktit në ambientet e institucionit arsimor. Konfliktet në shkolla mbeten një problem serioz në Shqipëri, ku në dy raste kanë shkaktuar pasojat fatale. Një vrasje ka ndodhur rreth një vit më parë në shkollën “Fan Noli” si dhe një tjetër 15-vjeçar u qëllua për vdekje nga bashkëmoshatarët në Gramsh. /ZËRI
