TIRANË- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tiranë. Sipas policisë, plagosja ka ndodhur rreth orës 19:10 në një lokal në rrugën “Imer Ndregjoni”. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur Ilirjan Dosti 45-vjeç. Ky i fundit ka marrë plagë në bark dhe po dërgohet më ambulancë në spital.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngjarjes është komshi me të plagosurin, ndërsa konflikti mes tyre dyshohet të ketë nisur për shkaqe banale. Sipas të njëjtave burime, autori ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes, çka ka përshkallëzuar konfliktin që ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Policia në njoftimin e saj bën me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes, për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 17.04.2026, rreth orës 19:10, në një lokal në rrugën “Imer Ndregjoni” është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi I. D., rreth 45 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./ZËRI