TIRANË-Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e paraburgimit Nr. 313 në Tiranë, ku pikërisht në sektorin e sigurisë së lartë, ku janë izoluar disa nga bashkëpunëtorët e Drejtësisë, ka ndodhur një përplasje fizike mes vrasësit me pagesë Nuredin Dumani dhe policit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sina.
Ngjarja ka ndodhur në mesin e muajit gusht 2026, brenda ambienteve të paraburgimit. Raportohet se bashkëpunëtori i SPAK, Nuredin Dumani, ka goditur fizikisht punonjësin e policisë, që ishte ngarkuar nga vetë Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve për garantimin e sigurisë fizike të të penduarit, Nuredin Dumani.
Pas goditjes dhe kanosjes me jetë, Rexhep Sina ka depozituar kallëzim penal pranë Policisë së Burgjeve dhe tashmë dosja është referuar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Kanosjes për shkak të detyrës”.
Dumani është një nga dëshmitarët kyç të drejtësisë shqiptare, pasi dëshmia e tij në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i Artë” ka çuar në hapjen e një sërë çështjesh penale dhe hetimesh ndaj grupeve të fuqishme kriminale në vend. Roli i tij si i penduar e ka bërë një nga figurat më të mbrojtura dhe njëkohësisht më të ekspozuara në opinionin publik./ZËRI