
TIRANË- Thuajse një javë më parë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi një grup hetimor në Brazil. 3 hetues të SPAK, mes tyre edhe kreu i institucionit, Altin Dumani udhëtuan drejt Brazilit për të hetuar përfshirjen e disa dhjetrave shqiptarëve në linjat e trafikut të kokainës nga Brazili në drejtim të Evropës. Por jo vetëm trafikun e drogës. Gazetari Arsen Rusta ka bërë një paralajmërim të fortë për zhvillimet e SPAK gjatë kësaj jave. Në një postim të bërë në rrjetet e tij sociale, Rusta thotë se çështja se përse hetuesit e SPAK kanë shkuar deri në Brazil ka të bëjë me disa "USB" dhe një "HardDisc", e po ashtu edhe me para të fshehura.
"Java Braziliane në SPAK nis të hënën e sa KOT ky SPAK-u me rikthimin e grupit 3A dhe grupit që sistemojnë PROVAT për Gjykatën. Epo të fshehësh lekët e grabitura shqiptarëve deri në BRAZIL!!! Plot Usb-ja dhe HardDisku,"-shkruan në postimin e tij Rusta. Mesa duket "goditja" do të jenë në rang zyrtarësh ose ish-zyrtarësh që kanë tentuat të fshehin paratë e fituara në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë që një tjetër gazetare, Anila Hoxha hap një tjetër pistë...atë të një linje trafiku të kapur më 18 Maj 2021 në anijen “NSC Atros”. Nisja e kësaj sasie droge do realizohej nga porti “Sao Paolo” Brazil dhe destinacioni përfundimtar, ka qenë porti i Valencias në Spanjë.
Në 25 shtator 2023, kjo letërporosi është ekzekutuar për SPAK-un në Shqipëri, duke proceduar: Ismail Zenelin me nofkën “Dajloki”, Eralbi Breçani me nofkën “Boli” ose “Toni”, një shtetas tjetër B.M. dhe tashmë të ndjerin Ergys Dashi me nofkën “Elb-Nisan”. Për këtë të fundit hetimet janë ndërprerë pasi u vra disa vite më parë. Një rast tjetër ku drejtuesit e SPAK, kanë shfaqur mjaft interes për të shkuar në Brazil, lidhet dhe me episodin e ndodhur në 2 Shtator 2019 në Gefron të Brazilit, ku u sekuestruan brenda një kontinjeri ngarkesa prej 617 kg kokainë. Pakot e kokainës ishin të identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke ngritur dyshime të forta se pronarët e drogës ishin nga Shqipëri dhe pikërisht duke simbolizuar qytetin e Elbasanit.
Për këtë ngarkesë, SPAK ka marrë në pyetje bashkëpunëtorine drejtësisë, Erion Alibeaj, i cili i ka treguar prokurorëve se sasia prej 617 kg kokainë e kapur në Brazil, i përket një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit. Po ashtu, në Brazil dyshohet se fshihet edhe Talo Çela, një nga njerëzit më të kërkuar të Policisë së Shtetit. Bazuar edhe nga bisedat e çkoduara nga "SkyECC", besohet se Talo Çela është larguar nga Shqipëria, duke u vendosur në një vend të Amerikës Latine, me identitet të ndryshuar. Vetë Çela synonte Brazilin.
“…do iki në Brazil, andej me emër tjetër po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rri më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit…,”-shkruante Talo Çela në “SkyECC”.
Diçka e re po "gatuhet" në SPAK që hetuesit kanë shkuar deri në Brazil, por mesa duket, detajet do t'i mësojmë këtë javë./ZËRI