Aktualitet

“Po dënohet vetëm një palë”, Meçaj dhe Dervishaj ngrejnë tonet në GJKKO: Zoti më ndihmoi mua, jo Andi Malokun

Julian Meçaj ka deklaruar se ai nuk e njeh shumicën e dëshmitarëve të thirrur në proces, dhe se sipas tij gjykata dhe prokuroria po tregohen të njëanshme

E.K
“Po dënohet vetëm një palë”, Meçaj dhe
plarent dervishaj dhe arjan ndoj

TIRANË- Në seancën e radhës gjyqësore në GJKKO për atentatin në mbikalimin e Shkozetit në vitin 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (i njohur si Rrumi i Shijakut), kanë reaguar dy nga të pandehurit kryesorë të çështjes: Julian Meçaj dhe Plarent Dervishaj.

Julian Meçaj, i njohur si ish-anëtar i të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, u shpreh i revoltuar përballë trupit gjykues, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e dëshmive dhe mbi respektimin e të drejtave të tij si i pandehur.

“Kanë ardhur të gjithë këta dëshmitarë, kur asnjëri prej tyre nuk më njeh dhe as i njoh. Nuk po di më si të mbroj veten time. Nuk ka logjikë kjo. Po shkelet parimi i një procesi të drejtë ligjor. Mos na ofendoni inteligjencën,” deklaroi Meçaj.

Ndërsa Plarent Dervishaj, një tjetër i pandehur kyç në çështje, ngriti shqetësimin se drejtësia po funksionon në mënyrë të njëanshme, duke ndëshkuar vetëm një palë.

“Ju kërkoni të na dënonit apo të zbardhni ngjarjen? Po dënohet vetëm një palë, ndërsa pala tjetër është e lirë. Këtu nuk është sqaruar ende kush ka qenë shënjestra,” tha Dervishaj.

Ai foli edhe për një tjetër atentat ndaj tij, të ndodhur në qershor, ku shpëtoi për pak nga vdekja:

“Unë e quaj fat që kemi shpëtuar nga ai atentat, sepse ndodhesha në makinë edhe me djalin. Zoti më ndihmoi mua, por fatkeqësisht jo Andi Malokun.”

Në përfundim të deklaratës së tij, Dervishaj i kërkoi gjykatës që vendimet të bazohen në prova reale:

“Nuk po kërkoj mëshirë për këtë çështje. Na dënojnë për atë që kemi në kurriz, jo për gjëra që nuk i kemi bërë.”

Poll

MOS HUMB