
TIRANË- Një taksist ka rënë pre e grabitjes pasditen e sotme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Taksisti kishte marrë para nga një pikë "exchange" në Tiranë 200 mijë euro dhe më pas, do i dërgonte në një bankë. Nga të dhënat e para mësohet se taksisti ka qenë duke kryer rolin e transportuesit. Në momentin që i ka marrë paratë nga pika e këmbimit valutor dhe është parkuar pranë një banke të nivelit të dytë, dy persona i janë afruar tek makina dhe i kanë thyer xhamin e pasmë të mjetit.
Pasi i kanë marrë pakon me para, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga të dhënat e para raportohet se autorët kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, madje raportohet se e kanë ndjekur taksinë në ndalesat që po kryente. Po ashtu, hetuesit e Komisariatit nr.2 po marrin në pyetje pronarët e “exchange”-it dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen.
Hetuesit dyshojnë se dy grabitësit kanë pasur informatorë dhe kanë mësuar me detaje lëvizjet e taksistit për të bërë edhe vjedhjen e parave.
Grupi hetimor po ashtu, po mbledh edhe kamerat e sigurisë së zonës, për të zbuluar më shumë lidhur me rrugën që kanë zgjedhur autorët për t'u larguar nga vendi i ngjarjes.
“Më datë 04.10.2024, në zonën e Ish-Bllokut, dy persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë parash shtetasit N. B., shofer taksie, dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar,”-njofton Policia./ZËRI