POGRADEC- Policia e Korçës ka gjobitur me 100 mijë lekë një efektiv policie, i cili u filmua duke lëvizur kundravajtje në Pogradec. Po ashtu, blutë bëjnë me dije se efektivit i janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit. Pamjet e bëra virale në rrjet tregonin një automjet policie duke lëvizur në sens të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit. Menjëherë, policia nisi hetimet dhe veprimet administrative ndaj efektivit të policisë i cili shkeli rëndë rregullat e qarkullimit rrugor.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në sens të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit, bëjmë me dije se:
Për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 12 të nenit 7 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit./ZËRI