SHKODËR- Një grup qytetarësh nga Mirdita janë nisur sot drejt Thethit, si një akt solidariteti me banorët e zonës së Dukagjinit dhe Thethit, të cilëve u janë shembur pronat në kuadër të aksionin për prishjen e objekteve pa leje. Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, aktivistë dhe qytetarë nga Mirdita do të zhvillojnë këtë vizitë në zonat ku ka pasur shembje. Sipas tyre, ky është një reagim për të mbrojtur vendin dhe pronën nga shteti.
“Kur shteti kthehet në një agresor, sigurisht që populli mbledh Kanunin. Është një reagim për t'u mbrojtur Kryeministri jonë është kthyer në një agresor, ose mund të jetë çmendur nuk e di kur para votimeve shkoi i tha “i gëzofshi”, pas votimeve i shembi. Edhe thotë nuk kam bërë pabesi. Nuk është tokë e xanun ajo, është tokë e trashëguar, të cilën e kanë mbrojtur me breza, është tokë e vaditur me gjak ajo. Shkoi ky t'ja prishi me disa policë partie. Prandaj ne do të shkojmë në mbështetje të tyre sepse sot ka nevojë. Kur shteti nuk ekziston bajraku do ta drejtojë vendin,”- tha një qytetar.
View this post on Instagram
Banorëve i është bashkuar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kujtim Gjuzi. Ky i fundit kishte një propozim konkret për qeverinë, duke i kërkuar që të dëmshpërblejë të gjithë personave që u ka shembur pronën.
“Ne iu përgjigjëm thirrjes së Zef Gjonajt për të qenë në Theth. Thethi është i thethianëve. Është i komunitetit katolik. Nëse ne flasim shqip sot, janë këto zona që e kanë mbrojtur vendin. Të shkosh në Dukagjin dhe të shembësh shtëpitë pasi i ke thënë “shtëpitë do t’i gëzoni”, nuk është vetëm prerje në besë, është krim bastard. Rama duhet të lexojnë Kanunin e Lekë Dukagjinit. Mesa duket akoma ai nuk e kupton se ku ka futur veten por të gjithë familjen e tij. Nuk është kërcënim, por ka bërë një gabim që duhet ta shlyejë. Kjo shlyhet me dëmshpërblim. Ndërsa atij çamit (Fatmir Metaj) duhet t'i kërkojë falje atyre njerëzve që i ka sharë me libër shtëpie. Nuk i kemi motrat dhe nënat vetëm. Shyqyr që deri në këtë moment nuk ka gjak. Edhe me Kanun dëmi shlyhet me pagesë,”- tha Gjuzi.
Të tjerë, e thonë hapur se në Theth nuk kanë më "betejë" për të zhvilluar por do të shkojnë për të takuar banorët e zonës në shenjë solidariteti.
“Jemi nisur drejt Dukagjinit, Thethit, aty ku është bërë një masakër e jashëzakonshme që dora e njeriut e ka ndërtuar dhe prapë po e shkatërron. Ne po dalim të sensibilizohemi me vëllezërit tanë nga Dukagjini. Ne luftë nuk do bëjmë me qeverinë, por ta shohim masakrën që është bërë,”- tha një qytetar.
“Jemi nisur për të shkuar në drejtim të Thethit, një grup mirditorësh. Ne po shkojmë jo se kanë emergjencë, por të solidarizohemi me ta, t’i themi që vuajmë dhimbjen me ta,”- tha një tjetër.
Mbrëmjen e djeshme u shemb edhe godina e fundiit që ishte pa leje në zonën e Parkun Kombëtar të Thethit. Sot, 15 korrik, pritet që në zonë të nisin punën forcat e ushtrisë, si dhe të pushtetit vendor për të pastruar inertet. Që nga nisja e aksionit, thuajse një javë më parë, në të gjithë zonën janë shembur gati 80 bujtina dhe godina, por ende nuk ka një numër të saktë nga autoritetet. Të gjithë banorëve të zonës u është kërkuar që të aplikojnë në Paketën e Maleve për të qenë përfitues të zhvillimit të zonës./ZËRI
