Aktualitet

Post-protesta! Molotovë e përplasje me Policinë! 18 protestues në pranga, mes tyre 3 të mitur, nis hetimi për Klevis Balliun

Përplasjet mes policisë dhe protestuesve nisën menjëherë pas mbylljes së fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha

F.I
Post-protesta! Molotovë e përplasje me Policinë! 18 protestues
PAMJE NGA PROTESTA

TIRANË-Në përfundim të protestës së opozitës mbrëmjen e 20 shkurtit, janë shoqëruar gjithsej 46 persona në ambientet e Policisë së Tiranës. Nga këta, 18 persona janë arrestuar, ndërsa 28 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Në pranga janë vendosur edhe tre të mitur, ndërsa një hetim ka nisur edhe për deputetin e PD, Klevis Balliun.

Me anë të një njoftimi zyrtar Policia bën me dije se ka sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi i policisë:

Hodhën lëndë piroteknike, molotovë, dhe sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 46 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 28 të tjerët.

Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundraligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajten e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përrreth territorit ku po kryehej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të polciisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur;
Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Përplasjet mes policisë dhe protestuesve nisën menjëherë pas mbylljes së fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha, kur mbështetësit filluat të hidhnin fishekzjarrë dhe molotovë drejt Kryeministrisë. Efektivët reaguan duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. 

Tubimi vijoj edhe para Parlamentit, aty ku protestuesit u zhvendosën pas përfundimit të protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Kujtojmë se Policia nuk e kishte aprovuar zhvillimin e protestës për shkak të dhunës së ushtruar më parë më 10 shkurt./ZËRI

Poll

MOS HUMB