Aktualitet

Pranoi pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, Kushtetuesja zbardh vendimin: Kuvendi të miratojë ndryshimet deri në 31 Korrik

Sipas vendimit, trupa gjykuese është ndarë 7-1, ku i vetmi që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së gjyqtarëve ka qenë Gent Ibrahimi.

zh.ll
Pranoi pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, Kushtetuesja zbardh
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, pas padisë së këtyre te fundit, duke pranuar pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, me vendim të datës 17 shkurt 2026. Sipas vendimit, trupa gjykuese është ndarë 7-1, ku i vetmi që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së gjyqtarëve ka qenë Gent Ibrahimi.

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, që kundërshtonte ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve.

Pasi shqyrtoi pretendimet e palëve dhe rrethanat e çështjes, Gjykata Kushtetuese vendosi:

1- Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2- Shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3- Detyrimin e Kuvendit për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026.

4- Efektet e shfuqizimit hyjnë në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026″, thuhet në njoftimin zyrtar.

"Gjykata ka theksuar se paga duhet të jetë në raport të drejtë me rëndësinë kushtetuese të funksionit dhe duhet të sigurojë pavarësi ekonomike reale për sa kohë që trajtimi financiar është një nga elementet përbërëse të statusit të gjyqtarit, pa të cilin nuk mund të garantohet ushtrimi i pavarur i funksionit...Niveli i pagës duhet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar një pavarësi të vërtetë ekonomike dhe nuk duhet të varet nga rezultatet e punës e nuk mund të ulet gjatë qenies në detyrë. Siguria në lidhje me pagën dhe me ushtrimin e qëndrueshëm të detyrës krijon kushtet e nevojshme që gjyqtarët të zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë e të paanshme", thuhet ndër të tjera në vendim.

Sipas Kushtetueses i takon Kuvendit të Shqipërisë për përzgjedhjen e referencës, ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët. Kuvendi duhet që të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31 korrik.

"Në përfundim, në përputhje me qëndrimin e mbajtur në vendimin e saj nr. 35/2022, Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026. Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës, duke mbajtur në vëmendje edhe faktin që inflacioni dhe situata ekonomike kanë efekt të njëjtë mbi të gjitha kategoritë e punonjësve, pavarësisht detyrës dhe funksionit që kryejnë.", thekson Gjykata në vendim.

Por çfarë kërkoi Unioni?

Unioni i Gjyqtarëve dërgoi në Gjykata Kushtetuese ndryshimet ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga mazhoranca, e cila përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë. Më përpara se Kuvendi të bënte këtë ndryshim, paga që merrej si referencë për pagën e gjyqtarit ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri me vlerë 132,000 lekë. Por këto kategori iu nënshtruan rritjes së përgjithshme të pagave, ku paga e Drejtorit në Kryeministri shkoi në (231 mijë lekë) (formula e vjetër), nga e cila me ndryshimin ligjor të 2023, gjyqtarët u përjashtuan.

Gjyqtarët përmes kësaj formule pretendojnë se humbën 78 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa qeveria pretendon se ua rriti me 20.000 lekë nga 132 mijë në 153 mijë. Unioni kërkoi rikthim të referencës që ishte ose përcaktimin 54.3% të pagës së Presidentit si pagë referuese. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë duke sqaruar se këto ndryshime duhet ti bëjë Kuvendi brenda afatit 31 korrik 2026, ndërsa efektet financiare të ligjit do të llogariten që nga 01.04.2023, duke iu garantuar përmes një skeme pagese që të gjithë gjyqtarët të marrin pagesat e prapambetura./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB