TIRANË-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e kompanisë Lajthiza Invest sh.a., ku u prit nga themeluesi i kompanisë Z. Hajri Elezaj, së bashku me familjen e tij dhe bashkëpunëtorët. Fillimisht, kjo vizitë mund të ishte konceptuar si një nga aktivitetet e zakonshme institucionale të agjendës presidenciale. Por përballja e drejtpërdrejtë me realitetin e Lajthizës e impresionoi Presidentin në mënyrë të veçantë.
Ai u shpreh se: Ajo që po shoh është e paimagjinueshme për nga përmasat e investimit. Kjo është një pasuri e vërtetë kombëtare.”
Dhe vështirë se mund të ndodhte ndryshe. Lajthiza është tashmë një realitet që lë pa fjalë këdo që ka pasur mundësinë ta vizitojë nga afër dhe impresionon çdo vizitor kur përballet drejtpërdrejt me atë çfarë është investuar aty.
Lajthiza Invest, e themeluar në vitin 1999, ka arritur të transformojë një zonë të thellë malore në një qendër moderne prodhimi, që operon sipas standardeve më të larta europiane. Fabrika ndodhet në 1,200 metra mbi nivelin e detit, ndërsa burimi i ujit vjen nga masivi malor në 1,600 metra, i përbërë nga shkëmbinj magmatikë, të cilët i japin ujit pastërtinë dhe balancën natyrale të mineraleve. Për këtë arsye, me të drejtë, ai njihet si “Uji Premium” Lajthiza.
Aktualisht, impianti përbëhet nga 9 linja moderne prodhimi, që përfshijnë paketimin në PET dhe qelq, Tetrapak, linjat e pijeve të gazuara dhe ato të kanaçeve. Teknologjia gjermane Krones, e kombinuar me sistemet më të avancuara të filtrimit, garanton që uji të mos ketë asnjë kontakt me mjedisin e jashtëm, duke ruajtur cilësinë e tij natyrale nga burimi deri në shishe.
Siç u shpreh edhe Presidenti Begaj gjatë vizitës, Lajthiza është një pasuri e vërtetë kombëtare dhe një dëshmi konkrete e asaj se çfarë do të thotë përdorimi i burimeve natyrore me përgjegjësi dhe në dobi të të gjithëve.


Sot, Lajthiza është më shumë se një fabrikë uji. Është një strukturë e madhe dhe e besueshme, me ndikim të rëndësishëm social në zonë, dhe me misionin për të çuar markat shqiptare në tregjet më prestigjioze të botës.