Aktualitet

PROFIL- U vra në krye të detyrës! Mbi 3 dekada gjyqtar, kush ishte magjistrati Astrit Kalaja?

Kalaja ishte një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë të gjatë e të respektuar, prej gati 32 vitesh.

zh.ll
PROFIL- U vra në krye të detyrës! Mbi 3 dekada gjyqtar, kush
astrit kalaja

TIRANË- Gjyqtari Astrit Kalaja, fatkeqësisht ka ndërruar jetë ditën e sotme, në krye të detyrës, pasi u qëllua në drejtim të tij me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Kalaja është transportuar menjëherë për te Trauma, por gjyqtari mbërriti i pajetë, pasi nuk arriti t'u mbijetonte 3 plagëve në gjoks.

Vrasja e gjyqtarit është një ndër ngjarjet më të rënda që ka tronditur themelet e sistemit të drejtësisë. Vrasja brenda mureve të Gjykatës së Apelit, ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik. Ndërsa, siguria dhe autoriteti i institucioneve të drejtësisë është vënë tashmë në pikëpyetje. 

Por, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?

Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Kalaja ishte një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë të gjatë e të respektuar, prej gati 32 vitesh. Ai është emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Aty, ai shërbeu për shumë vite, para se të emërohej në Gjykatën e Apelit Tiranë. 

62-vjeçari shërbente si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai kishte kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke vijuar ushtrimin e detyrës si pjesë e trupës gjyqësore që kishte kaluar filtrat e reformës në drejtësi.

Kalaja, e ka kaluar Vettingun në vitin 2019 dhe u rikonfirmua në detyrë. Por, pavarësisht rikonfirmimit, komisioneri publik kërkoi shkarkimin e Kalajës nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke. Bëhej fjalë për një një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.

Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë nga KPA-ja. Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.

Ndërkohë, sa i përket jetës personale, Astrit Kalaja ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ndërsa sipas burimeve, Kalaja ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë.

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e sotme gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. 

Por ajo ç'ka e bën më tronditëse dhe të çudishme këtë ngjarje, është fakti se si një person i armatosur është futur brenda institucionit të drejtësisë. Si mund ta ketë shmangur autori kontrollin e sigurisë, me armën në xhep, dhe të jetë futur krejt lehtësisht brenda sallës së gjyqit?! 

Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital./ZËRI

Poll

MOS HUMB