TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit sot në seancën e radhës gjyqësore për çështjen "sterilizimi". Mësohet se gjatë seancës, Beqaj ka ironizuar akuzat ndaj për grup të struktuar kriminal, teksa u ka bërë një thirrje të pazakontë trupës gjykuese.
Beqaj ftoi gjyqtarët që të inspektojnë nga afër zbatimin e kontratës koncesionare, e cila përfundon më 8 mars. Sipas ish-ministrit gjyqtarët duhet ta ndjekin personalisht realizimin e saj për të krijuar një pasqyrë të plotë të situatës.
“Ndjesë, se do them një gjë që nuk është brenda procedurës. Kontrata (koncesioni) përfundon më 8 mars. Ju lutem, nëse keni mundësi dhe ndjesë nëse po e teproj izitojeni dhe ndiqeni vetë zbatimin, realizimin e asaj kontrate. Bëni një gjë që prokurorët s’e bënë kurrë. Po s’e patë nga afër, është e pamundur ta sjellim realitetin në këtë sallë gjyqi”, është shprehur ish-ministri.
Ndërkohë, seanca u shty për një datë tjetër për shkak të mungesës së avokatëve të Beqajt.
Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale konsiderohet një funksion thelbësor i çdo spitali publik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit dhe praktikën mjekësore të përditshme, dhe për dekada është realizuar nga struktura të brendshme spitalore pa nevojën e një operatori të veçantë juridik.
Ndërkohë dosja “Sterilizimi” është në gjykim. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj përballen me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh./ZËRI