
FIER- Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuri të tjera të Arbër Muça, mes tyre një makinë luksoze tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale. 36-vjeçari, Arbër Muça akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas asaj që bën me dije prokuroria, automjeti luksoz që u sekuestrua rezulton të jetë modifikuar dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë.
Dy vite më parë, Prokuroria i sekuestroi pasuri me vlerë 2 milionë euro, si (mijëra hektarë tokë, apartamente, vendparkim, 12 makina dhe llogari bankare)
Njoftimi i Prokurorisë:
Dyshime se kanë prejardhje nga veprimtaria kriminale, Prokuroria e Fierit sekuestron pasuri të tjera të shtetasit A.M. të cilit një vit më parë ju bllokuan 2 mln euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në vijim të hetimeve në procedimin penal nr.1162, datë 15.10.2020 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.
Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, mbështetur në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe sekuestrimi i makinës luksoze erdhi një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion Euro të shtetasit A.M.
Automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10.07.2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre./ZËRI/