Aktualitet

SPAK merr në pyetje biznesmenët që fituan tendera nga “5D”

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që të merren në pyetje disa dëshmitarë, por edhe biznesmenë që besohet se kanë përfituar tendera dhe kanë bashkëvepruar me kompaninë "5D Konstruksion".

k.m.
SPAK merr në pyetje biznesmenët që fituan tendera nga
Mariglen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dëshmitarë të tjerë në lidhje me dosjen "5D" për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që të merren në pyetje disa dëshmitarë, por edhe biznesmenë që besohet se kanë përfituar tendera dhe kanë bashkëvepruar me kompaninë "5D Konstruksion".

Sipas një artikulli të publikuar nga "OraNews", një nga biznesmenet që SPAK e kërkon si dëshmitar është Hamz Islamaj administrator i kompanisë "BE-IS shpk". Islamaj është kërkuar për të dëshmuar pasi kompania e tij, së bashku me "VAS Konstrusion" dhe "Mateo shpk" kanë fituar një tender me vlerën e 136 mln euro që kishte të bënte me ndërtimin e kanalizimeve në rrugën e Durrësit. Nga hetimet, SPAK ka zbuluar se vetëm "VAS" i ka kryer punimet në terren.

Për t'u marrë në pyetje janë kërkuar edhe Jani Kola, i shoqërisë "Kola Invest", që ka kryer disa tendera me kompaninë "Igor Elektrik", që tashmë mban emrin "5D". Gjithashtu në sallë do të priten edhe Ilir dhe Blerim Allmata, dy persona që kanë interesa ekonomike në shoqërinë "Allmata 02". E gjitha sepse SPAK ka zbuluar se mes administratorit të “5D”-së, Nestor Muhametllari me Ilir Allmetën është provuar edhe nga telefonatat dhe mesazhet.

Nga të dhënat rezulton se “5D konstruksion” ka realizuar 66 transferta bankare në drejtim të shoqërisë “Allmeta 02” me një vlerë totale 120.289.975 lekë. 

Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.

SPAK pretendon se ka provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronar faktik të kompanisë “5D”./ZËRI

Poll

MOS HUMB