Aktualitet

Protesta e 4 korrikut/ Sulmi me gurë te Komisariati nr.3 në Tiranë, një i arrestuar, 4 në kërkim

Blutë njoftojnë se lidhur me incidentin janë proceduar penalisht edhe 7 persona të tjerë.

F.I
Protesta e 4 korrikut/ Sulmi me gurë te Komisariati nr.3 në
pamje nga Komisariati

TIRANË-Policia e Tiranës ka njoftuar se ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim 4 të tjerë në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë protestës së 4 korrikut, ku disa qytetarë thyen xhamat e Komisariatit nr. 3. Blutë njoftojnë se lidhur me incidentin janë proceduar penalisht edhe 7 persona të tjerë. Të dyshuarit akuzohen për një sërë veprash penale, mes të cilave “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”.

Gjatë qëndrimit para komisariatit mbrëmjen e 4 korrikut, situata u tensionua pasi një prej protestuesve, i maskuar ka goditur me shkop xhamat e godinës, duke i thyer ato. Grupi i protestuesve gjuajti me gura drejt godinës së Komisariatit, ku pas këtij momenti, policia ndërhyri për të shpërndarë turmën, duke përdorur ujë ndaj protestuesve. 

Njoftimi i policisë:

Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.

Në vijim të veprimeve procedurale:

- u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;
- u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;
- u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Poll

MOS HUMB