Aktualitet

Protesta e opozitës, Policia merr masat: Ja rrugët që do të bllokohen

Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e tubimit, policia njofton se do të ketë bllokime dhe kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore.

zh.ll
Protesta e opozitës, Policia merr masat: Ja rrugët që do të
Foto ilustruese

TIRANË- Partia Demokratike do të zhvillojë nesër, 17 prill, protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë. Policia e Tiranës ka njoftuar masat që do të mbahen për këtë protestë dhe cilat rrugë do të bllokohen në kryeqytet.

Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e tubimit, policia njofton se do të ketë bllokime dhe kufizime të lëvizjes në disa akse kryesore. Kufizimet do të nisën që nga ora 23:45 e ditës së sotme, ku do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Ndërsa ditën e protestës, nga ora 15:00 do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/ Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Protesta e kaluar e 22 marsit zgjati rreth tre orë. Tubimi pa fjalime, shumë shpejt përshkallëzoi, pasi u hodhën mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Forcat e policisë ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll, me makinat e ujit dhe gaz lostsjellës. Pas Kryeministrisë, u sulmua me molotovë ministria e Brendshme, e Infrastrukturës dhe selia e PS, ndërsa u dogj edhe një makinë policie. Të lënduar nga kjo protestë mbetën 6 efektivë të policisë, ndërsa u arrestuan 15 qytetarë, të cilët u lanë në masën 'detyrim paraqitje'./ZËRI

Poll

MOS HUMB