
TIRANË- Partia Demokratike mbajti dje protestën e radhës duke bllokuar disa nga akset nacionale. Për 3 orë, 6 akset kryesorë në vend ishin të bllokuara nga protestuesit. Ata protestuan në Kthesën e Kamzës, rrethrrotullimin e Milotit, rrethrrotullimin e Shkozetit, rrethrrotullimin e Bradasheshit, rrethrrotullimin e Rrogozhinë dhe rrethrrotullimin e Levan.
Dje pati edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku janë arrestuar 4 protestues deri më tani. Tre prej të arrestuerve ishin pjesë e protestës së mbajtur në Bradashesh të Elbasan, ndërsa një tjetër në Tiranë. Po ashtu Policia ka referuar në Prokurorinë e Posaçme emrat e 16 deputetëve që do të hetohen në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për Flamur Nokën, Albana Vokshin, Xhelal Mziun, Asllan Dogjanin, Edi Paloka, Dashamir Sula, Bledjon Nallbati, Ervin Minarolli, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Luan Baçi, Tomorr Alizoti, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Elda Hoti, Kastriot Piroli dhe kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja.
Ata akuzohen për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, për dokumentimin e paligjshmërive të kryera gjatë tubimeve të djeshme, në pikat lidhëse të këtyre qyteteve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, ju informojmë se:
-Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
-Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.
-Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve”, njofton policia.
Në Elbasan, protestuesit e opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit, por tubimi u zhvillua edhe në 5 pika të tjera shumë të rëndësishme për qarkullimin e mjeteve. Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 7 Tetor pas burgosjes së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji, ndërsa protesta e sotme u njoftua menjëherë pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. /ZËRI