
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka dhënë mesazhin përmbyllës në një nga protestat e zhvilluara opozita pasi vetë politikani mori pjesë në tubimin në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”. Ai u shpreh i kënaqur me tubimin e sotëm, duke theksuar se opozita ia arriti qëllimit.
“Sot, ishte një ditë e jashtzakonshme! E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, dua të falenderoj të gjithë të rinjtë e të rejat, qytetarët që iu bindën thirrjes në këtë hap të mosbindjes civile. Dua të falenderoj po ashtu qytetarët shqiptarë në përgjithësi, që shmangën përplasjen në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Ditë e zezë për narko-regjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar kanë sjellë narko-policinë në çdo kryqëzim. Mosbindja civile ka nisur të japë frytet e veta, do i sjellë zgjidhje Shqipërisë e shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje!,”-tha Noka para mediave.
Ndërkohë që duke iu referuar paralajëmrimit të tij para efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilëve iu tha që të largoheshin nga tubimi ndryshe bashkë me qytetarët do të shkonte në Surrel. Atje ku edhe banon kryeministri Edi Rama.
“E shmangëm sot, por nuk e shmangim gjithmonë! Do ju njoftojmë për hapat e radhës, për një gjë të jeni të sigurt që kthim pas nuk ka!,”-shtoi Noka.
Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 7 Tetor pas burgosjes së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji. Ndërsa protesta e sotme u njoftua menjëherë pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta./ZËRI