TIRANË- Pasditja e së enjtes, 18 qershor, 'u mbërthye' nga tensionet në kryeqytet, ku vetëm pak metra larg dhe në të njëjtin orar, po zhvillohej protesta e qytetarëve dhe në anën tjetër mbahej Kuvendi.
Por ajo që dukej si një pasdite e zakonshme me debate brenda Kuvendit dhe protesta paqësore jashtë, nuk zgjati shumë.
Çfarë ndodhi?
Ndërsa në Kuvend zhvillohej seanca plenare, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, qytetarët e organizuar u mblodhën fillimisht në Sheshin "Skënderbej" në protestën e radhës kundër projekteve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Mirëpo, këtë herë me një ndryshim. Skenari i protestës ndryshoi tërësisht rrugës dhe krejt papritur...
Pasi u bënë bashkë në sheshin "Skënderbej", protestuesit ndryshuan itinerarin e tyre të zakonshëm. Me thirrje kundër qeverisë, rreshti i gjatë i qytetarëve nisi marshimin direkt drejt selisë së Kuvendit, pikërisht në kohën kur brenda po votohej amnistia penale dhe pas një rikthimi në pasdite pas ndërprerjes disa orarëshe.
Fill pasi Kuvendi mbylli punimet e ditës, jashtë situata u bë akoma më e tensionuar!
Protestuesit arritën të rrethonin pikat kryesore të daljes së Parlamentit, duke u zënë pritë deputetëve dhe ministrave që po tentonin të largoheshin. Deputetët e mazhorancës u pritën me thirrje dhe fishkëllima nga protestuesit, para Kuvendit.
Në momentin e daljes, deputeti socialist Ardit Bido, u kap në befasi dhe u gjet i rrethuar plotësisht nga turma e qytetarëve. Protestuesit i kanë drejtuar akuza të ashpra në fytyrë, duke e etiketuar me thirrjet "Hajdut" dhe duke i kërkuar në kor "Lësho mandatin!". Madje, u desh ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të policisë për të çarë turmën me shpejtësi dhe për të bërë të mundur nxjerrje e Bidos nga rrethimi.
Ndërkohë, pas këtij episodi, kryeministri Edi Rama është larguar me urgjencë nga ambientet e Kuvendit, për të shmangur çdo lloj përplasjeje me protestuesit që ishin jashtë sallës së seancave plenare. Eskorta e kreut të qeverisë është parë të lëvizë me shpejtësi drejt bulevardit.
Megjithatë, protesta nuk u ndal dhe tensionet vazhduan.
Këtë herë ndalesa e radhës ishte para Selisë së Partisë Demokratike. Edhe në këtë pikë janë regjistruar tensione të tjera të forta. Gjatë kohës që protestuesit bënin thirrje ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, në hyrje të selisë blu ka pasur anëtarë të PD-së të cilët kanë konfliktuar verbalisht me protestues. Protestuesit kanë lëshuar thirrje të ashpra drejtuar të opozitës, teksa në kor dëgjohej "Opozitë e shitur".
Pasi lanë selinë e PD-së, protestuesit kanë vijuar marshimin përgjatë bulevardit kryesor duke u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, aty në pikën kryesore ku vendose çdo mbrëmje, ku dhe u mbajtën fjalimet nga qytetarë, aktivistë, ambientalistë dhe organizatorë të protestës.
Më pas, siç tashmë është kthyer traditë e kësaj proteste vazhdon marshimi i qytetarëve në rrugët e kryeqytetit./ZËRI