Aktualitet

PROVAT ndaj mikut të Shullazit! Avokati arrestohet pas debatit me prokurorin: Më kërcënoi! Avokatia: S'jemi Republikë Prokurorësh

Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit.

F.I
PROVAT ndaj mikut të Shullazit! Avokati arrestohet pas debatit me
Gjergji Ceka dhe Ulian Barjami

ELBASAN-Një incidet mes profesionistësh në sallën e gjyqit ka përfunduar me arrestimin e avokatit Ulian Barjami. Barjami u vendos në pranga pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka, i cili pretendon se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash. Por cilat ishin provat që 'ndezën' seancën në Gjykatën e Elbasanit?

Në seancën e 17 tetorit, Ulian Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit. Akuza ndaj Likës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit.

Nga ana tjetër prokurori Ceka, i cili sipas Dhomës së Avokatisë në procesverbalin e sjellë me shkrim në seancë përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, replikoi me avokatin Barjami duke e paraljamëruar se do të arrestohej.

Prokurori Ceka: Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!

Avokati Barjami: Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.

Në këto kushte pas përfundimit të seancës, prokurori Ceka e ka kallëzuar avokatin për kanosje. Dhoma e Avokatisë njoftoi se avokati është arrestuar si i akuzuar për veprat penale "Kanosja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit", dhe "Kanosja e gjyqtarit".

Sipas Dhomës së Avokatisë, ky akt është tërësisht arbitrar dhe synon të frikësojë dhe zmbrapsë avokatët në detyrën për mbrojtjen e klientëve të tyre. Për më tepër, Dhoma e Avokatisë pretendon se është manipuluar edhe procesverbali i arrestimit të avokatit. Ndër të tjera Avokatia i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht

Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë

Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit. Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori. Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit. Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.

Ndërkohë Gjykata e Elbasanit caktoi masën “arrest në shtëpi”, për Maksim Likën, klientin e avokatit në pranga, si pjesë e grupit prej 14 personash të arrestuar që u gjendën në një lokal të këtij qyteti, të armatosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB