
SHKODËR- Tani ka dy emra, Izmir Sakicaj, 23 vjeç, dhe Samuel Troshani, 24 vjeç, po kërkohen nga Policia e Shkodrës pasi dyshohet se kanë lidhje me masakrën e Dobraçit, ku mbetën të vrarë 3 persona. Ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre por dyshohet se mund të jenë larguar drejt Malit të Zi. Kjo pasi, ditën e ngjarjes u raportua se për atentatin ishin "pajtuar" vrasës me pagesë nga Mali i Zi. Se cili ka qenë roli konkret i Sakicajt dhe Troshanit në ngjarje, kjo është ende e paqartë. Po ashtu, nuk dihet se kush janë porositësit, organizatorët dhe ezekutorët e ngjarjes që i mori jetën 3 personave.
Emrat e të shpallurve në kërkim duket se nuk janë të panjohur për Policinë e Shkodrës pasi kjo nuk është hera e parë që kërkohen. Të dy janë përmendur edhe në ngjarjen e ndodhur në gusht, në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se pati shkëmbim zjarri mes tyre dhe 2 vëllezërve Andrea e Sandër Prendi. Në mjetin e blinduar me të cilin udhëtonte Sakicaj, dyshohet se ishte edhe Elio Hato, por ky version nuk është konfirmuar nga Policia e Shkodrës.
Dyshimet se atentati ka qenë i mirëorganizuar i provon edhe fakti se makina e autorëve, tip “Range Rover” është vjedhur disa muaj më parë në Durrës. Zhdukja e mjetit "Land Rover Sport" ishte denoncuar disa muaj më parë nga pronari, por nuk ishte gjetur kurrë. Fakti që ishte vjedhur në Durrës u zbulua nga numri i shasisë së mjetit që iu vu zjarri në fshatin Grudë e re. Kështu, edhe Policia e Durrësit është përfshirë në hetimet për të zbuluar autorët e grabitjes, për të mësuar më pas nëse kanë lidhje me personat që kanë blerë më pas mjetin.
Hetuesit gjithashtu vijojnë kërkimet për të zbuluar se cili është personi i tretë në mjetin e viktimave, Hamza Lici e Arlind Bushati. Nuk përjashtohet mundësia që personi në fjalë të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i Hamzait. Por ka një detaj që e hedh poshtë këtë teori. Në një foto tjetër të siguruar nga Abc Neës në vendin e ngjarjes shihet se pranë këtij personi ndodhen efektivë të forcave “Shqiponja”. Kështu që nëse ka qenë vërtetë Ibrahim Lici, nuk dihet sesi ka mundur që të largohet pa u vënë re nga vendi i ngjarjes. Për më tepër që ndaj tij ka një urdhër arresti pasi është shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës.
Një tjetër detaj që duhet zbuluar nga grupi hetimor është arsyeja se përse djali i familjes Lici ishte futur në një zonë që konsiderohet “bastion” i fisit të Bajrave, pra në Dobraç. Për këtë çështje disa dyshime i ka ngritur gazetari i kronikës, Igli Çelmeta. Ai theksoi se Licajt janë tradhtuar nga njerëz afër tyre ose nga efektivë të inkrimuar të Policisë së Shtetit, duke iu dhënë informacione rivalëve.
“Hamza Lici 13 plumba në trup, Arlind bushati 1 plumb në kokë. Njëra nga pistoletat ka qëlluar në drejtim të autorëve por nuk dihet kush e ka përdorur. Arlind Bushati ka patur miqësi me grupin bajri, pasi ka shkuar te grupi Lici. Skenë kriminale nuk ka patur. Hamza Lici është pa precedent penal, vëllai i Ibrahim Licit që akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës. Familja Lici e mohon se nuk ka lidhje me këtë ngjarje. U arrestua në Turqi dhe u la i lirë. Ka patur përplasje me fisin Bajri. Hamza Lici ishte vetëm 23 vjeç. Mendohet se pjesëtarë të fisit Lici janë tradhtuar për këtë ngjarje duke i dhënë informacione kundërshtarëve. Një person që është në kërkim nga Policia e Shtetit, teksa grupet kriminale kanë patur me detaje informacione për lëvizjet e Hamza Licit. Efektivë të Policisë së Shtetit jo vetëm në Shkodër, janë të lidhur me krimin dhe japin informacione për grupet kriminale”, tha Çelmeta në "Kjo Javë".
Forcat elitë RENEA vijojnë të jenë në Shkodër duke kryer disa operacione për kontrolle për kapjen e autorëve, por deri tani pa rezultate.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë./ZËRI