
MALËSI E MADHE- Dy autorët e sulmit me breshëri plumbash gjatë ditës së djeshme në Malësinë e Madhe janë identifikuar. Sipas Policisë, janë shpallur në kërkim persona me inicialet E. V., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri dhe R. Z(P)., 27 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër. Dyshohet se ata kanë shkuar për të vjedhur në fshatin Gruemirë, por u diktuan nga banorët. Ata fillimisht qëlluan banesën e familjes Kurtaj, ku si objekt kishin kamerat e tyre të sigurisë.
Por tre anëtarët e familjes Kurtaj njohën motorin e tyre në momentin që do largoheshin. Ata ndaluan autorët për t’i pyetur pse qëlluan drejt banesës së tyre, por për t’u arratisur ata qëlluan me breshëri plumbash drejt makinës së tyre.
Autoritetet po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Ata akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të ngjarjes së ndodhur në fshatin Gruemirë, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe si rezultat i veprimeve të shpejta u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e tyre.
U shpallën në kërkim shtetasit E. V., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri dhe R. Z(P)., 27 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër;
Nga veprimet paraprake rezulton se dy shtetasit e mësipërm dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur në fshatin Gruemirë por janë diktuar nga tre shtetas banorë të fshatit e të cilët këta dy shtetas kanë debatuar dhe më pas gjatë largimit kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njofton Policia. /ZËRI