TIRANË- Anxhela Paparizo është emëruar drejtoresha e re e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, duke zëvendësuar në këtë post ish-deputetin Florenc Spaho, i cili qëndroi vetëm pak muaj në detyrë. Prezantimi i Paparizos është bërë nga ministrja e re e shëndetësisë Evis Sala, që të përbashkët mes tyre kanë faktin që janë prurje të diasporës. Por në ndryshim nga Sala që është një emër i afirmuar në fushën e mjekësisë, dhe me një karrierë të gjatë jashtë vendit, Paparizo nuk ka kontribut të mëparshëm në këtë fushë,.
Paparizo është një shqiptare e diasporës, e diplomuar për gazetari dhe aktualisht mban detyrën e nënkryetares së Këshillit të Diasporës për Partinë Socialiste. Prej vitesh ajo jeton dhe punon në Kanada, ndërsa ka marrë specializime në fushën e artit. Po ashtu ajo ka punuar në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur pushteti lokal drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama.
Por emri i saj duket se është i ‘gjithëpranuar’ politikisht, pasi jo më larg se vitin e kaluar, Paparizo ka qenë pjesë e një takimi me kreun e opozitës Sali Berisha, ku ishin të ftuar personalitete të diasporës. Se sa të lehtë do t’ia bëjë punën në QSUT, fakti që ka bashkëpunuar me të gjitha forcat politike në Shqipëri kjo mbetet për t’u parë. QSUT është një prej institucioneve që vazhdimisht ka qenë në vorbullën e kritikave, qoftë për tendera të dyshimtë që janë ndërmarrë nga drejtuesit, qoftë për shërbimin e pamjaftueshëm të denoncuar nga qytetarët, apo mungesën e ilaçeve dhe korrupsionin në radhët e bluzave të bardha.
Në Kanada, Paparizo ka punuar në Bashkinë e Burlingtonit, Ontario, si Manaxhere për Art dhe Kulturë. Në këtë rol, ajo ka qenë përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e politikave artistike dhe kulturore, drejtimin e Programit të Artit Publik, Programin e Grantit për Artin dhe Kulturën, organizimin e Ditëve të Kulturës për qytetin dhe bashkëpunimin me muze, qendra arti, biblioteka dhe institucionet e turizmit për të promovuar kulturën lokale dhe ndërkombëtare.