BERLIN-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin në kuadër të Konferencës Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore. Kreu i qeverisë po mban fjalën e tij lidhur me temën: “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”.
Rama tha se Europës i duhet Ballkani Perëndimor për pasuritë natyrore, të cilat u shpreh se lakmohen nga Kina dhe Rusia.
Edi Rama: Europës i duhet rajoni ynë. Kjo sepse ne jemi një rajon, që kemi pasuritë tona natyrore. Këto pasuri janë të lakmuara nga Rusia dhe nga Kina. Mirëpo ne i përkasim kontinentit europian dhe duhet të zhvillohemi bashkë me pjesën tjetër të Europës. Ne jemi duke ecur shpejt drejt integrimit në BE. Ne duam që të bëhemi pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë. Ne po bëjmë transformimin më të madh në historinë tonë.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe tek integrimi në Bashkimin Europian, ku kërkoi që vendi ynë të jetë pjesëmarrës, pasi Shqipëria është duke punuar shumë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Kreu i qeverisë komentoi edhe sulmet kibernetike dhe dezinformata për korrupsion, por nuk u prova.
Edi Rama: Integrimi në BE nuk mund të bëhet një shtyrje pa fund. Zgjidhja nuk është e komplikuar. Na jepni pjesëmarrjen, që hap pas hapi të dëshmojmë potencialet tona. Me hapa të ngadaltë, ne do të bjmë çdo gjë që kërkon familja e madhe europiane. Shqipëria është duke punuar shumë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Teknologjia në shërbime është rruga nga periferia drejt qendrës. Ballkani Perëndimor në BE do i japë Europës më tepër potencial. Me ne, më e fortë do jetë vetë BE-ja. Sulmet kibernetike janë një problem madhor, që është përballur dhe Shqipëria. Kishte edhe dezinformata. U tha se do ketë masakër mjedisore, u tha se ka korrupsion madhor, pa u provuar kjo gjë. Indinjata nga dezinformimi krijoi mijëra të pakënaqur. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por edhe europian e botëror. Por ata që bëjnë lincime digjitale, do të humbasin herët a vonë.
Rama pritet të zhvillojë një takim me anëtarët e bordit të Komisionit të Bllokut Lindor dhe me drejtues ekzekutivë të kompanive të rëndësishme të Europës Lindore. Në fokus të diskutimeve do të jenë investimet, klima e biznesit në Shqipëri dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.