Aktualitet

Rama, zaptimi dhe Thethi: Një përplasje për të ardhmen e hapësirave publike

Fushata pro dhe kundër këtij aksioni është zhvilluar në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok, aty ku këto kohë janë hapur dhe adresa të reja që përkrahin nismën e kryeministrit për lirimin e hapësirave publike.

Loreta Koleci
Rama, zaptimi dhe Thethi: Një përplasje për të ardhmen e
Edi Rama

TIRANË- Prej më shumë se një jave opinion publik është ndarë në dy anë, pro aksionit të Ramës për lirimin e hapësirave publike dhe kundër. Këto ditë në rrjetet sociale kemi parë video, statuse dhe qëndrime nga më të ndryshmet, që nga qytetarët e thjeshtë, gazetarë, analistë dhe politikanë. Fushata pro dhe kundër këtij aksioni është zhvilluar në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok, aty ku këto kohë janë hapur dhe adresa të reja që përkrahin nismën e kryeministrit për lirimin e hapësirave publike.

Le t’i shikojmë!

“Rruga drejt Evropës është një hap larg”, shkruan njëra nga adresat fallco në TikTok.

“Bëfsh hajr o Edi Rama, nuk janë sjellje të parakohshme se 103 deputetë do marrësh”, dëgjohet një qytetar teksa ka filmuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në lagjen 21 dhjetori në Tiranë. Gjithashtu reagim pro këtij aksioni ka pasur dhe analisti Berat Buzhala i cili shprehet kështu në postimin e tij: Pra, tash banoret e tjere nuk jane cmend me fole, mirepo une jam i bindun qe me kete aksion Rama vec ka me fitu pike ne Theth e Dukagjin. Nuk ndertohen bre ato garazha afer asaj Kishe. Thethi duhet me u rujte si syte e ballit, e jo me u bo Disneyland. Me falni, ama as nuk e di mire rrjedhen e ngjarjeve deri te prishja, e as kush cka ka thane. E rendesishme eshte qe asaj Kishes me ju leshu fryma, qe Thethi me u doke qysh asht doke para ‘investimeve’. Ani kishin shku deputetet e opozites me u perplase me policine. Po de. Per qato Rama ka me nejt ne pushtet sa t’ka ymer me rrnu”.

Por, të tjerët nuk mendojnë se ky aksion po bëhet për të mirën publike, por po lirohen hapësirat, sidomos në Theth që t’iu hapet rruga investitorëve stategjikë apo oligarkëve siç i cilësojnë disa nga politikanët që kanë reguar. Agron Shehaj nga partia Mundësia u shpreh se Edi Rama ka një plan për Thethi, por tek ky plani nuk përfshihen pronarët e tokave, por miqtë e ngushtë të kryeministrit. Reagimi erdhi dhe nga Adriatik Lapaj nga Shqipëria Bëhet i cili u shpreh se Rama detyron qytetarët të shkojë drejt paligjshmërisë. Po ashtu edhe Arlind Qori nga partia Lëvizja BASHKË reagoi në rrjetin e social duke theksuar se Rama është i fortë me qytetarët dhe i dobët me oligarkët. Ina Zhupa nga Partia Demokratike u shpreh se standardi për zonat e mbojtura është i ndryshëm për qytetarët dhe për rrethin e ngushtë të Edi Ramës.

Ndërkohë që studiuesi Auron Tare, ka një tjetër qasje sesi shteti ka dështuar me Thethin dhe me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Nuk është vetëm Thethi por janë edhe zona të tjera që për hir të së vërtetës nga rritja e turizmit ka pasur një rritje masive të infrastrukturës, të ndërtuar me apo pa leje. Unë jam munduar me eksperiencën time të jap disa ide dhe disa mendime se si mund të kapërcehet kjo situatë për të gjetur një balancë midis atyre që po ndodhin në Theth pra një balancë midis banorëve. Por edhe faktit që zona të tilla si Thethi duhen ruajtur dhe duhen mbrojtur nga shëmtimet dhe nga ndërtimet të cilat nuk i shkojnë zonës. Dhe kjo mendoj unë bëhet, nëse ka vullnet profesional dhe politik. Thethi zgjidhet apo duhej të ishte zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme me modele që ka kudo në Europë. Në Theth ne mund të bënim një model të krahasueshëm me Evropën, pra me Zvicrën apo me Austrinë. Por çfarë ka ndodhur në Theth? Së pari, që në nisje të aksionit, kryeministri denoncoi se në Theth shteti është lënë në baltë nga prokuroria. Rama tha se individë kanë zaptuar hapësirën brenda parkut dhe kanë betonizuar.”

Sot, Rama iu ktheu përgjigje kritikëve duke bërë dy sqarime.

1. Në Theth nuk do të ketë investitorë strategjikë dhe 2. Qeveria nuk ka prerë askënd në besë, pasi legalizimet janë kryer për pjesën historike dhe banorët që kanë tokë të trashëguar. Sipas kryeministrit, shembjet janë bërë për banesa që janë ndërtuar muajtë e fundit dhe nga individë pa lidhje me Thethin.

Në këtë kontekst të ndarjes së opinionit dhe tensioneve për lirimin e hapësirave publike, sfida mbetet gjetja e një ekuilibri të drejtë mes interesave të banorëve, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Si do të vijojë aksioni dhe si do të reagojë komuniteti dhe institucionet, mbetet për t’u parë në ditët në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB