TIRANË-Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka folur për herë të parë për akuzat ndaj saj, pas dyshimeve për shkelje me tenderët. E ftuar në emisionin "Top Story", Karçanaj tha se përgjegjësia administrative është pjesë e punës së drejtimit të një institucioni dhe sipas, ka përgjegjësi për tu siguruar që proceset ndodhin dhe hallkat kryejnë punët e tyre.
Ish-drejtoresha e AKSHI ka folur për jetën personale, pasuritë dhe sekuestrimet ndaj saj. Karçanaj deklaroi, se gjithçka që ka ndërtuar është rezultat i punës së saj ndër vite dhe se çdo pasuri është e deklaruar sipas ligjit. Ish-drejtoresha e AKSHI-t deklaroi se aktualisht jeton në një apartament me qira, të cilin e ka zgjedhur pranë vendit të punës pasi vetë ajo nuk drejton mjet.
“Dua të shtoj se zor që mund të provoj ndjesi më të keqe dhe poshtëruese se momenti i sekuestrimit. Unë kam fiks 30 vite që punoj. 6 vite si pedagoge, më pas kam emigruar në Kanada, nuk kam ikur atje për të prishur lekët e prindërve. Kam punuar në profesion duke dalë nga shtëpia në 7 të mëngjesit dhe kthehesha në 8 në shtëpi. Aty kam qenë e mirëpaguar. Më pas u ktheva dhe kam punuar pedagoge. Kam punuar 12 vite në AKSH. Çdo gjë që kam të deklaruar e kam të deklaruar prej një jete. Çdo e ardhur e imja është brenda sistemit e deklaruar. Nuk ka asnjë qindarkë të fshehur. Unë aktualisht jetoj në një shtëpi me qira, deri në fund të 2024, jetoja në shtëpinë ku kam lindur, një apartament 64-vjeçar që i përket kohës së Enverit.
Nuk ka lidhje me pronësinë time, e kam pasur një apartament me qira të zgjedhur pranë punës, AKSHI-t. Unë nuk drejtoj makinë, nuk kam makinë. Nuk zgjodha të shes pronën e mamasë por zgjodha atë apartament me qira. Për emergjencat e punës, unë kam zgjedhur që për 5 minuta të isha në AKSH. Është me kontratë tek noteri, çdo pagesë qiraje është bërë në bankë.
Unë zotëroj në Qerret një apartament 1+1, 60 metra/ katrorë, që e zotëron babai i fëmijëve të mi. Unë e kam të rëndësishme të flas edhe për pronat e sekuestruara, unë jam fëmijë i vetëm, mamaja ime ka qenë mësuese ka punuar 30 vite, babai im ka qenë profesor matematike 50 vite dhe ataku në zemër i ka ndodhur duke dhënë mësim. Unë nuk drejtoj makinë, unë nuk kam makinë. Bëhet fjalë për një Volkswagen Tiguan e 2016, e blerë 10 vite më parë që e përdor babai i fëmijëve të mi, sërish e deklaruar. Nuk bëhet fjalë për asnjë Porsche", sqaroi Karçanaj.
Ndër të tjera Karçanaj ka komentuar për herë të parë publikisht raportin e saj me Ergys Agasi dhe hetimet që lidhen me çështjen e AKSHI-t. Ish-drejtoresha e AKSHI-t u shpreh, se nuk i takon asaj të përcaktojë nëse Agasi ka apo jo përgjegjësi penale, duke theksuar se kjo është detyrë e akuzës dhe e procesit hetimor.
"Në funksione publike është e domosdoshme të kesh kontakte, sepse në të kundërt nuk bëhet puna. Por kontaktet nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale. Mund të ketë faj, nuk më takon mua ta them këtë. I takon akuzës të hetojë duke analizuar provat dhe dokumentat dhe më pas të dalë në përfundime. Ajo që mund të them për veten është se mënyra si e kam drejtuar institucionin ka qenë qartësisht e orientuar që të zbatohet ligji, të mos shkelet asnjë procedurë dhe gjithçka të jetë konform ligjit. Sa i takon prokurimeve, kam zgjedhur të mos merrem me të përditshmen. Madje kam deleguar rolin e titullarit të prokurimeve. Nuk i kam ndjekur prokurimet”, deklaroi ajo.
Ndërkohë Karçanaj ka prekur edhe rolin e ish-zv/drejtorit Daniel Shima, për të cili deklaroi se ia kishte kaluar të gjitha kompetencat e prokurimeve publike në institucion. Ish-drejtoresha deklaroi se Shima kishte përgjegjësi për proceset administrative të prokurimeve, ndërsa ajo vetë ishte fokusuar në zhvillimin teknologjik të institucionit. Sipas saj duhet të hetohet me seriozitet nga institucionet.
"Daniel Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit. Unë kam qenë e përqendruar të plotësohet procedura teknologjike për t'u bërë AKSHI, ky që është sot. Unë personalisht nuk jam marrë me këtë proces, por jam përkushtuar për të ndjekur me kujdes këtë proces që të bëhet brenda rregullave. Në një periudhë unë e kam deleguar autoritetin kontraktor te Daniel Shima dhe gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur komunikim në lidhje me këtë procedurë. Unë nuk dua të paragjykoj Daniel Shimën në lidhje me atë çka po thuhet në media, por duhet të them se institucionet duhet të hetojnë me seriozitet. Për të mirën flet vetë historia e AKSHI-t, ndërsa për të keqen do të duhet të presim fundin e hetimeve dhe vendimet e gjykatës,"-u shpreh Karçanaj.
Ish-drejtoreshA e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj është nën hetim nga SPAK pas dyshimeve për shkelje me tenderët. Karçanaj ishte vendosur më herët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të caktuar nga GJKKO, por me vendimin e fundit, Gjykata e Lartë ka ndryshuar këtë masë, duke i caktuar ish-drejtoreshës së AKSHI-t masën detyrim paraqitje./ZËRI