TIRANË-Viti 2024 është i shënuar për konfliktet globale dhe për dy luftërat më të madha, Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë. Por edhe pse bota po përjeton një destabilitet të lartë politik, më shumë njerëz shprehen se ndihen të sigurtë në vendet e tyre si kurrë më parë.
Së fundmi, raporti i organizatës amerikane Gallup me temë "Siguria Globale 2025", e cila që prej vitit 2006 kryen studime në mbarë botën për sigurinë, zbuloi se 73% e të rriturve në mbarë botën shprehen se ndihen të sigurt në vendin ku jetojnë. CEO i kësaj organizate, Jon Clifton shprehet se mes këtyre trazirave botërore njerëzit po ndërtojnë komunitete më të forta.
"Edhe mes konfliktit dhe pasigurisë, njerëzit po ndërtojnë komunitete të forta nga themelet. Këto gjetje tregojnë se siguria nuk është vetëm mungesa e dhunës, por është prania e besimit, institucioneve dhe rezistencës kolektive.", -u shpreh ai.
Por si renditen shtetet në këtë raport? Kush qëndron në krye dhe kush qëndron në fund? Po Shqipëria me Kosovën?
Singapori kryeson botën në siguri
Singapori u rendit përsëri në vendin e parë globalisht për sigurinë, me 98% të banorëve që thonë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën. Kjo është hera e 12-të që Singapori kryeson listën globale të Gallup. Ndërsa, Afrika e Jugut raportoi perceptimin më të ulët të sigurisë në botë, me vetëm 33% të banorëve që shprehen se ndihen të sigurt.
Si kurrë më parë, Kosova renditet e treta në botë për sigurinë, në indeksin e Ligjit dhe Rendit, ku u vlerësua me 94 pikë. Ndërsa Shqipëria renditet e 41-ta në listë, ku u vlerësua me 85 pikë. Në këtë rënditje Shqipëria ka lënë pas shtete si: Kroacinë, Francën, Sllovakinë, Serbinë, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar e shumë të tjera. Rezultatet e këtij raporti bazohen në intervista me 145,170 të rritur të moshës 15 vjeç e sipër në 144 vende të ndryshme të botës, duke ofruar një pamje gjithëpërfshirëse aktuale se si njerëzit në mbarë botën e perceptojnë sigurinë e tyre personale./ZËRI