Aktualitet

Rasti "Qyno" në GJK! SPAK: Gazetarët na kontaktojnë kur kanë materiale sekrete, u themi nëse duhet t’i publikojnë ose jo

Prokurori i SPAK Bledar Maksuti, i caktuar nga Altin Dumani për çështjen Qyno, gjatë seancës ka deklaruar para trupit gjykues se gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK

F.I
Rasti "Qyno" në GJK! SPAK: Gazetarët na kontaktojnë kur
Bledar Maksuti dhe Elton Qyno

TIRANË-Deklarata të reja janë zbardhur nga seanca publike e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese më 2 prill në lidhje me  çështjen e gazetarit Elton Qyno. Prokurori i SPAK Bledar Maksuti, i caktuar nga Altin Dumani për çështjen Qyno, gjatë seancës ka deklaruar para trupit gjykues se gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet t’a botojnë ose jo materialin.

Bledar Maksuti: Në këtë rast kemi të bëjmë dhe me një anë subjektive të vetë gazetarit. Duke qenë se është gazetar i vjetër kronike, ka pasur të gjitha eksperiencat dhe informacionin e duhur për të dëshmuar çfarë lloji informacioni dispononte. Ka pasur edhe raste të tjera, kur gazetarë të të njëjtit nivel të hetimit kanë pasur në dorë informacione të tilla dhe kanë ardhur na kanë kontaktuar, ky inforamcion është i vërtetë dhe a mundem ta publikoj ju prish punë apo jo.

Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj e pyeti prokurorin e SPAK nëse kishte ndonjë bazë ligjore apo praktikë që gazetarët duhet të marrin leje në SPAK kur duan të publikojnë një informacion sekret për një çështje. Në përgjigjen e tij prokurori u shpreh se nuk ka një detyrim ligjor për këtë praktikë.

"Nuk po flasim për detyrim ligjor por detyrim etik,"-u shpreh prokurori i SPAK.

Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje, gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve, të cilat i kishte publikuar në media lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin. Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. Ndaj gazetarit po zhvillohen hetime për 2 vepra penale si “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”. Në mbrojtjen e tij gazetari Elton Qyno kërkoi asgjesimin e të gjitha materialeve që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB