TIRANË-Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë dhe ka lënë në ‘arrest shtëpie’ 4 prej anëtarëve të dyshuar të rrjetit të call centerave mashtrues, Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj. Ndërkohë Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së, për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj Hysen Xhepexhiu dhe Klaudio Kaçupi.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më datë 24.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 7 akti, datë 19.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve E.M, E.Gj, R.Gj, K.K dhe H.Xh dhe D.Q: “Ankim kundër vendimit nr. 3, datë 19.01.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, me afat 30 ditor, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale dhe neni 24 5pika 1, shkronja “d”, të Kodit të Procedurës Penale”, si vijon:
1-Miratimin e vendimit nr. 3, datë 19.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa ka disponuar për ankuesit/të hetuarit K.K dhe H.Xh.
2-Miratimin e vendimit nr. 3, datë 19.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa ka disponuar për ankuesit të hetuarit E.M, E.Gj, R.Gj dhe D.Q lidhur me vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të tyre në datën 17.01.2026, përkatësisht në orët 04:50 dhe 05:00.
3-Ndryshimin e vendimit nr.3, datë 19.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa ka disponuar për masën e sigurimit personal ndaj ankuesve\të hetuarve E.M, E.Gj, R.Gj dhe D.Q, në këtë mënyrë:
Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit E.M, duke e urdhëruar atë, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit E.Gj, duke e urdhëruar atë, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit R.Gj, duke e urdhëruar atë, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit D.Q, duke e urdhëruar atë, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Urdhërohet lirimi nga ambjentet e paraburgimit i të hetuarve E.M, E.Gj, R.Gj dhe D.Q, në rast se nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.
Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, në kullën “Atti Tower”, ku ndodheshin zyrat qëndrore, me qëllim asgjësimin.
Punonjësit e arrestuar, mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas dyshimeve për një ndërhyrje të mundshme, ambientet e Call Center-it në “Atti Tower” boshatisën zyrtat dhe pajisjet po i vendosnin në një tjetër ambjent të marrë me qera në një tjetër godinë. Gjatë kontrolleve në zyrën e marrë me qera u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Drejtues të këtij rrjeti janë 3 vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të cilët janë shpallur në kërkim./ZËRI