TIRANË- Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë vendin që prej orëve të mëngjesit, ndërsa përmbytjet e para janë raportuar në Lezhë. Që prej mesnatës, reshjet kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane, ku sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”.
Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin. Në rrugën drejt Shëngjinit është rrëzuar një peme, e cila ka rënë në rrugë dhe ka dëmtuar linjën elektrike. Pothuajse, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike.
Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe Qarkun e Kukësit, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në disa zona rurale. Prefektura e Kukësit njofton se megjithë rënien e gurëve dhe inerteve në disa segmente, rrugët nacionale janë mbajtur funksionale falë ndërhyrjes së vazhdueshme të subjekteve kontraktore.
Probleme raportohen edhe në Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj. Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje, dhe nëse vijojnë me të njëjtin intensitet rrezikohen banesa dhe biznese.
Vlora është përfshirë gjithashtu nga reshjet dhe erërat e fuqishme, duke rrëzuar një pemë shumë vjeçare në zonën pranë rrugës kryesore, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Gjithashtu disa pisha janë rrezuar nga era duke bllokuar segmentin që të shkon në fshatin Zvërenc, ndërsa qarkullimi është vështirësuar deri në ndërhyrjen e strukturave bashkiake. Ndërkohë, edhe në rrugën e Plazhit të Vjetër, një pemë e madhe ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë që situata me përmbytjet deri më tani duket e qetë.
Deri më tani, situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash.
Deklaratë për shtyp mbi situatën e motit në vend
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore!
Nga Emergjencat Civile bëhet me dije se në terren janë disa grupe të OSHEE që po punojnë për riparimin e dëmeve, ndërsa bashkitë kanë nxjerre mjete dhe punonjës për të larguar intertet aty ku ka prezencë të tyre dhe se situata po monitorohet./ZËRI