
VLORË- 6 subjekte në Vlorë janë evidentuar se kanë pasur dhe kanë tregtuar mish pule me salmonelë. Zbulimi është bërë nga kontrollet që ka kryer Autoriteti i Kontrollit të Ushqimeve në Vlorë. Mishi i kontaminuar është gjetur në markete, por edhe në restorante e "fast foode" afër shkollave dhe në qytet. Edhe pse mishi është gjetur në 6 subjekte, ka dyshime se edhe të tjera mund të kenë të njëjtin produkt.
Por shumë subjekte private në Vlorë kanë largua gjithë sasinë e pulës që kanë patur për të shmangur rrezikun e infektimit të klientëve të tyre. Ndërkohë që 6 subjektet ku janë evidentuar sasi të pulës me salmonelë janë marrë masa administrative që varjojnë nga gjoba të ulëta, deri në vlera të konsiderueshme. Por nuk janë bërë me dije se cilat janë këto subjekte, në mënyrë që qytetarët që kanë konsumuar ushqim aty, të marrin masa.
27 ton mish pule me salmonelë u importuan këtë muaj nga Brazili në vendin tonë. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me "Salmonella Typhimurium", por që në këtë kohë, mishi ishte shitur.
Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5 mijë kilogramë; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Në lidhje me rastin në kërkim është shpallur Arben Goxha, administratori i kompanisë, ndërsa në hetim është i vëllai, Mond Goxha, pronar i 'dimal' dhe 3 inspektorët e AKU-së, Gezim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari./ZËRI