
TIRANË- Dritan Rexhepi ka zgjedhur që të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor të mbajtur për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Në seancën e sotme të zhvilluar pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Rexhepi ka kërkuar që të përfaqësohet nga avokatja e tij. Sipas saj, Rexhepi nuk është paraqitur në seancë pasi duhet të shoqërohej ditën e premte nga paraburgimi i Fierit në drejtim të paraburgimit ‘313’. Po ashtu, kërkon që seancat të mos caktohen ditën e hënë dhe ditën e premte.
Nga pala tjetër, SPAK ka paraqitur provat shkresore, duke nxjerrë pikat kryesore nga dosja me rreth 13 faqe. Në fjalën e saj, prokurorja Elida Kaçini tha njollat e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë krahasuar me ADN-në e nënës së Jani Prengës, e se kështu është provuar se personi në video është i zhdukuri. Po ashtu, zbuloi se kamerat e sigurisë në zonë kanë zbuluar edhe gjithë itinerarin e viktimës.
“Gjatë hetimeve kemi paraqitur prova të pamjeve filmike të cilat janë marrë nga disa biznese. Nëpërmjet pamjeve filmike është bërë e mundur ndjekja e itinerarit. Nëpërmjet këtyre pamjeve provohet se viktima është mbajtur nën vëzhgim disa ditë përpara ngjarjes në mënyrë që të bëhej rrëmbimi. Automjeti “Land Rover” i autorëve të dyshuarve, kanë ndjekur automjetin e viktimës. Konkretisht në datën 15,16 dhe 17 janar,”-është shprehur në Gjykatë.
I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz mbërriti në vendin tonë mesditën e 8 janarit, pasi u ekstradua nga Turqia. Pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit u transferua në burgun '313'. Rexhepi akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me shtetasit Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht: për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 20 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij./ZËRI