Aktualitet

Rrëmbimi e vrasja e Jan Prengës, dëshmon Festim Bexhdili: Erdhën 4 persona me maska

Edhe pse pretendon se nuk e ka parë viktimën, tregon se në kompleksin e Altin Hajrit, ditën e ngjarjes kishin hyrë 4 persona me maska.

k.m.
Rrëmbimi e vrasja e Jan Prengës, dëshmon Festim Bexhdili:
Jani Prenga

TIRANË- Festim Bexhdili ka dhënë dëshminë e tij sot lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurori Behar Dibra ishte ai që mori në pyetje dëshmitarin dhe personin që ka parë 4 "maskat" që kishin marrë peng Jani Prengën. Edhe pse pretendon se nuk e ka parë viktimën, tregon se në kompleksin e Altin Hajrit, ditën e ngjarjes kishin hyrë 4 persona me maska. Sipas tij, në momentin kur makina "Range Rover" e bardhë hyri në kompleksin "Golden", ai ishte duke pastruar pishinën pasi e kishte punësuar halla e tij, nëna e Altin Hajrit. Por në një moment, 'maskat' e kanë thirrur dhe i kanë kërkuar 4 shishe me ujë, nga një për secilin. 

"Jam gjendur në vendin e punës. Erdhën 4 persona, që si njihja. Te kompleksi u fut një makinë në garazh. Më kërkuan 4 bidona ujë dhe kam ikur. Personat ishin me kapucë, si njihja. Isha vetëm. Se di nëse kam qëndruar apo ikur. Nga frika s’di çfarë kam bërë. Ika të laj pishinën. U thashë të largohen. Kisha frikë se ishin me maska dhe me armë,"-tregoi Bexhdili ndër të tjera në rrëfimin e tij.

DETAJE NGA MARRJA NË PYETJE:

Prokurori: Ç’punë bëje te Golden në 2020?

Bexhdili: I bëja të gjitha. Kamarier, kopshtar. Më paguante halla ime, që nëna e Altin Hajrit.

Prokurori: Më herët ç’punë ke bërë?

Bexhdili: Kam punuar si ndihmës kuzhinier.

Prokurori: Kush ishte pronari i Golden?

Dëshmitari: Unë si pronar njoh Altin Hajrin. Me organizimin, prenotimin, merrej halla ime Hatixhja.

Prokurori – Ditën e ngjarjes ku u ndodheshe?

Dëshmitari- Jam gjendur në vendin e punës. Erdhën 4 persona, që si njihja. Te kompleksi u fut një makinë në garazh. Më kërkuan 4 bidona ujë dhe kam ikur. Personat ishin me kapucë, si njihja.

Gjykata: Personat që hynë ishin në kapuçë?

Bexhdili: U çova ujë se isha i frikësuar. Edhe sot kam frikë. Më kanë futur ne hasmëri me persona kot. Më dënojnë burg përjetë prokurorët.

*Ndërhyn gjykata: S'të dënon prokurori, por gjykata. Kush e hap derën e kompleksit, ka roje?

Bexhdili: Dera ishte e hapur. Unë isha duke larë pishinën, kur hyri makina e bardhë Range e bardhë. Shkova dhe 4 personat ishin me kapuçë dhe nga frika iu çova ujë.

-Ishe vetëm?

Bexhdili: Po vetëm isha.

-Kishe mjet pune?

Bexhdili: Po kisha, po pastroja pishinën. E lashë te garazhi.

-Pate komunikim me këta persona?

Bexhdili: Më kërkuan vetëm ujë.

-I pyete ç’donin?

Bexhdili: Donin vetëm ujë.

-Na i përshkruaj?

Bexhdili: Si mbaj mend. Si njihja. S’di çtë them.

-Bënë ndonjë lëvizje?

Bexhdili: S'di gjë.

-Lëvizën nga makina?

Bexhdili: S'më kujtohet. Se di.

-Njoftove njëri se kishin ardhur këta persona?

Bexhdili: Jo nuk njoftova asnjëri.

-Pasi iu çove ujin çfarë bëre?

Bexhdili: Se di nëse kam qëndruar apo ikur. Nga frika s’di çfarë kam bërë.

*Prokurori insiston të dijë se ua mori ose jo shishet, në një kohë që nuk pyet për pengun.

-Çfarë mbani mend se ndodhi pasi ata pinë ujë?

Bexhdili: S’di gjë fare.

-Çfarë bëre pasi pe që pinë ujë?

Bexhdili: Ika të laj pishinën. U thashë të largohen. Kisha frikë se ishin me maska dhe me armë.

-Folën me ju?

Bexhdili: S’më kujtohet.

Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI

Poll

MOS HUMB