TIRANË- Debati i nisur mes një klinike private në Tiranë, dhe ish-aktores, tashmë blogere Eliona Pitarka, duket se do të marrë zgjidhje në dyert e Gjykatave. Pas paralajmërimeve të bëra nga klinika Vera-Virhov, se Pitarka ndante dieta për fëmijë në Instagram, në emër të pediatrit Edi Tushe, beteja mes tyre ka vijuar edhe me publikime në Instagram. Ditën e sotme, klinika që drejtohet nga Genta Dedej, në një deklaratë publike, njofton se e ka paditur blogeren për shpifje, fyerje, dëmtim imazhi dhe shkelje ligji. Sipas tyre ky proces bazohet në Kodin Penal dhe parashikon dënime që shkojnë deri në 3 vite burg, sipas rasteve konkrete, ndërsa paratë që do të merren nga dëmshpërblimi do të jepen për bamirësi.
DEKLARATË PUBLIKE Klinika Vera–VIRHOV
Klinika Vera–VIRHOV ushtron aktivitetin e saj prej mbi 20 vitesh, duke ndërtuar reputacionin mbi profesionalizëm, etikë mjekësore dhe respekt maksimal për shëndetin publik. Institucioni ynë përfaqësohet nga mjekë të nderuar si: Dr. Edi Tushe, Dr. Gentian Stroni, Dr. Moza Keta, Dr. Elton Qeli, Dr. Gentian Caco, Dr. Meri Papajani, Dr. Fatbardha Xhani, si dhe shumë profesionistë të tjerë që janë krenaria e këtij institucioni. Nga kjo klinikë kanë dalë dhjetëra infermierë dhe laborantë të specializuar, sot aktivë me dinjitet në tregun e punës.
Në lidhje me znj. @elionapitarka , sqaroj publikisht se:
❌ Nuk ka asnjë autorizim të flasë në emër të mjekëve tanë
✔ Është trajtuar vetëm si paciente, me korrektësi dhe respekt.
Në vitin 2023 e kam këshilluar personalisht të mos publikonte informacione dezinformuese mbi shëndetin e fëmijëve (temperaturat febrile, dietat pediatrike). Pavarësisht kësaj, ajo ka vijuar publikime që krijojnë konfuzion dhe dëmtojnë seriozitetin e profesionit tonë. Si person publik dhe influencer, ajo ka përdorur para disa ditesh Instagramin e saj, për të publikuar deklarata shpifëse dhe të pavërteta ndaj meje dhe stafit të Klinikës Vera–VIRHOV, duke dëmtuar rëndë imazhin profesional të institucionit.
Janë konstatuar gjithashtu:
– përdorim i materialeve filmike pa lejen tone, dhe keshillimet si paciente ne rrjetet e saj sociale, qe perben shkelje e pronës intelektuale te klinikes.
– mesazhe kërcënuese në telefonin tim personal (të dokumentuara)
Dhe te tjera.
Për këtë arsye, Klinika Vera–VIRHOV ka nisur procedurat ligjore për shpifje, fyerje, dëmtim imazhi dhe shkelje ligji. Ky proces bazohet në Kodin Penal dhe parashikon dënime që shkojnë deri në 3 vite burg, sipas rasteve konkrete.
Deklaroj publikisht se çdo gjobë apo dëmshpërblim që mund të përfitohet nga ky proces do të shkojë në ndihmë të fëmijëve të Jetimores së Tiranës, si nje akt human dhe simbolik per dinjitetin njerezor. Klinika Vera–VIRHOV do të vazhdojë të ushtrojë aktivitetin e saj me korrektësi, profesionalizëm dhe transparencë, në shërbim të pacientëve dhe shoqërisë shqiptare.
Një vit më parë, ZËRI ishte media e parë në Shqipëri që denoncoi në dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”, fenomenin e përhapur masivisht në Shqipëri të promovimit të qumështit formulë nga influencerat dhe personazhet publikë në shkelje të plotë me ligjin. Por pavarësisht denoncimit tonë, asnjëra nga personazhet publike nuk kërkoi ndjesë për publikun por përkundrazi nisën të raportonin faqen tonë përmes mënyrave aspak demokratike. Por ajo që dikur ishte vetëm qumështi formulë përballë qumështit të gjirit, duket se ka shkuar shumë më tej, në reklamimin edhe të dietave për fëmijë. Një rast i tillë përfshin në debat aktoren Eliona Pitarka, nënë e 3 fëmijëve dhe mjekun që ndjek vajzat e saj, pediatrin Edi Tushe. Në një postim të mëhershëm, Eliona ndau një dietë për fëmijët që ia kishte ofruar sipas saj pediatri Tushe.
